Pasditen e sotme, tre zona të vendit janë përfshirë nga zjarre të fuqishme, duke vënë në alarm autoritetet dhe banorët.

Vlora

Në qytetin bregdetar të Vlorës, flakët kanë përfshirë sërish fushën e mbetjeve urbane. Për shkak të erës së fortë, zjarri është përhapur me shpejtësi duke krijuar re të dendura tymi që kanë mbuluar një pjesë të qytetit. Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve, ndërkohë që janë angazhuar edhe 4 helikopterë për të ndihmuar nga ajri.

Selenica

Një tjetër vatër është regjistruar në fshatin Lapardha, bashkia Selenicë. Flakët kanë përfshirë kodrat mbi fshat, duke rrezikuar disa banesa. Banorët, së bashku me zjarrfikësit, kanë tentuar të izolojnë zjarrin, por terreni i thyer malor dhe erërat e forta e kanë bërë ndërhyrjen të vështirë.

Kruja

Ndërkohë, edhe zona e Krujës është përfshirë nga flakët. Dy vatra janë konstatuar këtë pasdite në afërsi të fshatit Borizanë, mbi fabrikën e çimentos dhe pranë guroreve të zonës. Zjarri po përhapet me ritme të shpejta, duke shtuar rrezikun për bizneset dhe banesat aty pranë.

Situata në kontroll të pjesshëm

Forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile po punojnë në të tre zonat për të izoluar flakët, ndërsa autoritetet kanë bërë apel për kujdes të shtuar dhe shmangien e çdo veprimi që mund të shkaktojë zjarrvënie të tjera.

Hetimet pritet të përcaktojnë nëse kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme apo me përhapje natyrore për shkak të temperaturave dhe erës së fortë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu