
Ministri i Shtetit Taulant Balla, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Prrenjas, Nuri Belba, dhe deputeti i zgjedhur Olsi Komici, vizitoi fabrikën e re të përpunimit të ullirit në Qukës.
Fabrika ka hapur shumë vende pune për banorët dhe deri tani punëson rreth 70 persona, shumica gra të zonës, ndërsa synimi është të arrihet në 300 të punësuar.
Në bashkëbisedimin me sipërmarrësin, Balla kërkoi rritjen e kapacitetit prodhues:
“Mos vononi të shtoni kapacitetin. Kjo është ndërmarrja e parë e këtij lloji në Qukës dhe duhet të shndërrohet në një mundësi reale punësimi për banorët,” tha ai.
Sipas drejtuesve të fabrikës çdo ditë punësohen njerëz të rinj dhe puna zhvillohet me normë ku pagesa ditore mund të shkojë nga 2000 deri në 2500 lekë.
Punonjësit mbushin ullinj me produkte të ndryshme si bajame, speca, portokall dhe hudhra.
“Punonjëset më të mira kanë arritur të fitojnë deri në 20–22 mijë lekë në ditë,” theksoi sipërmarrësi. “Kemi kërkesa të përditshme për punë.”
Balla vlerësoi faktin që punësimi mbështetet te forca punëtore vendase dhe shembullin e mirë se si mund të zhvillohet ekonomia lokale.
Fabrika ofron transport për punonjësit dhe po planifikon investime shtesë për përmirësimin e kushteve sociale, përfshirë hapësira për fëmijët e punëtoreve.