
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në Instagram një mesazh mirënjohjeje për punonjësit e Policisë së Shtetit që tregojnë përkushtim dhe guxim në detyrë, duke theksuar se nuk duhet gjykuar e gjithë policia nga rastet e pakta kur uniforma turpërohet.
“Kur një punonjës policie turpëron uniformën, me të drejtë të gjithë revoltohemi dhe padrejtësisht shumëkush shan të tërë policinë,” shkruan Rama. “Por Policia e Shtetit nuk përfaqësohet nga ata që e turpërojnë, po nga mijëra burra, djem e vajza që punojnë me përkushtim.”
Kryeministri ka sjellë dy shembuj të cilët, sipas tij, mishërojnë më së miri përkushtimin dhe sakrificën e uniformës blu:
-
Agim Troci, që “u hodh në zjarr për të shpëtuar nga flakët të tjerët”.
-
Klajdi Mustaj, “të cilit i jemi të gjithë mirënjohës për forcën e madhe të shembullit në shpëtimin e tre qytetarëve të dëmtuar gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan–Fier”.
Mesazhi i Ramës vjen në një kohë kur opinioni publik është ndarë mes kritikave dhe vlerësimeve për punën e policisë, duke e vendosur theksin tek nevoja për të dalluar mes individëve problematikë dhe shumicës së punonjësve të ndershëm dhe të përkushtuar.