
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, zyrtarisht nënshkroi vendimin për shpalljen e zgjedhjeve lokale të cilat do të mbahen më 19 tetor të këtij viti. Vendimi është dërguar në organet kompetente për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve, ndërsa Kuvendi gjatë kësaj periudhe do të vazhdojë funksionimin e rregullt administrative, por nuk do të mbahen seanca plenare, me qëllim që të shmanget keqpërdorimi i foltores së parlamentit për qëllime elektorale.
Gashi, në letrën e tij pas shpalljes së zgjedhjeve, u bëri apel forcave politike, kandidatëve dhe strukturave përkatëse që të tregojnë nivel të lartë të kulturës politike.
“Të shmangin çdo formë presioni, fjalori përçarës dhe çdo tentativë për të instrumentalizuar institucionet dhe burimet publike për interesat partiake. Ky është një proces që duhet të fokusohet te qytetari, te nevojat dhe sfidat e tij reale, dhe te zgjidhjet konkrete që secili kandidat duhet të ofrojë. Pres që ky proces të jetë një dëshmi e pjekurisë sonë demokratike, ku respektohen rregullat, mbizotëron dinjiteti, dhe reflekton vullneti i lirë i qytetarëve, e jo rezultat i trysnive apo manipulimeve. Në këto zgjedhje është e domosdoshme të demonstrojmë vlerat dhe standardet evropiane për të pasqyruar angazhimin tonë të palëkundur për integrim”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Në zgjedhjet lokale, qytetarët nëpërmjet dy rretheve zgjedhore në 80 njësi të vetëqeverisjes lokale dhe Qytetin e Shkupit, do të zgjedhin kryetarët dhe këshillat që do të udhëheqin me komunat në katër vitet e ardhshme. Pas shpalljes së zgjedhjeve, Komisioni Shtetëror Zgjedhor duhet të mbajë seancë në të cilën do të publikohet kalendari i të gjitha afateve dhe veprimeve zgjedhore, por edhe obligimet e pjesëmarrësve në zgjedhje, mediave dhe organeve zgjedhore.
Kontrolli i Listës Zgjedhore, fillon 15 ditë pas shpalljes së zgjedhjeve dhe zgjatë gjithsej 20 ditë. Qytetarët, gjatë asaj kohe mund t’i verifikojnë të dhënat e tyre dhe nëse ka parregullsi të kërkojnë të ndryshohen. Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve skadon 35 ditë para ditës së zgjedhjeve, gjegjësisht më 15 shtator. KSHZ, duhet t’i verifikojë dhe konstatojë listat më së voni deri më 27 shtator. Fushata zgjedhore fillon më 30 shtator dhe do të zgjatë 20 ditë. Për zbatimin e tërë procesit zgjedhor shteti ka ndarë rreth 10 milionë euro. Dy të treta e këtyre parave janë për reklamim politik të kandidatëve nëpër media, ndërsa një pjesë tjetër për kompensime për anëtarët e këshillave zgjedhor, por edhe transportin dhe logjistikën lidhur me materialin votues.
Ndërkohë, deri në fund të muajit duhet të zgjidhen 21 mijë administratorë që do të angazhohen në këshillat zgjedhor në rreth 3.500 vendvotime. Pos tyre edhe partitë që kanë fituar më shumë vota në zgjedhjet e kaluara, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe VLEN duhet të propozojnë edhe 14.000 anëtarë të këshillave zgjedhor./Alsat.mk