Shqipëria ka një nga vijat bregdetare më të pasura në rajon dhe një traditë të hershme të peshkimit, por qytetarët shqiptarë po konsumojnë gjithnjë e më pak prodhime deti vendase. Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në vend po ndodh një paradoks i thellë: peshku më cilësor shqiptar po eksportohet jashtë vendit, ndërsa tregu vendas po furnizohet gjithnjë e më shumë me peshk të importuar nga vende me standarde të diskutueshme.

Gjatë vitit 2023, Shqipëria importoi mbi 7.5 milionë kg prodhime deti, ndërsa në 2024 kjo sasi u rrit në mbi 8.6 milionë kg. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, janë importuar më shumë se 5 milionë kg peshk dhe produkte deti, duke konfirmuar një tendencë në rritje.

Burimet e importit janë kryesisht vende si Kina, India, Pakistani, Indonezia, Gambia, Namibia, Bangladeshi, Kili dhe Egjipti – vende që shpeshherë nuk i plotësojnë standardet evropiane të sigurisë ushqimore për këtë kategori produktesh.

Ndërkohë, eksportet shqiptare të peshkut shkojnë kryesisht drejt Bashkimit Europian, me Italinë, Norvegjinë dhe Serbinë si destinacionet kryesore. Në vitin 2023, Shqipëria eksportoi mbi 5.3 milionë kg peshk, ndërsa në vetëm gjashtë muajt e parë të 2025 kjo shifër arriti në 3.6 milionë kg.

Ky fenomen tregon një mospërputhje serioze midis potencialit të prodhimit vendas dhe përfitimit të konsumatorëve shqiptarë, të cilët shpesh paguajnë më shumë për produkte me cilësi më të ulët dhe me origjinë të dyshimtë. Ekspertët kërkojnë një rishikim të politikave tregtare dhe buxhetore, për të stimuluar konsumimin e prodhimeve të detit vendase dhe për të garantuar siguri ushqimore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu