
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka shkarkuar nga detyra Dr. Erika McEntarfer, komisioneren e Byrosë së Statistikave të Punës (BLS), duke e akuzuar se ka manipuluar të dhënat e punësimit “për qëllime politike”, pa paraqitur prova për këto pretendime.
Vendimi erdhi pas publikimit të raportit mujor të punës për muajin korrik, që tregoi se ekonomia amerikane shtoi vetëm 73,000 vende pune, një shifër shumë më poshtë se pritshmëritë. Për më tepër, të dhënat për majin dhe qershorin u rishikuan ndjeshëm në ulje, me një total prej 258,000 vende punë më pak se sa raportuar më parë – duke e bërë këtë periudhë tre mujore më të dobëtën për punësim që nga recesioni i pandemisë në vitin 2020.
“McEntarfer tha se kishte vetëm 73,000 vende pune të reja (një tronditje!), por më e rëndësishmja është se kanë bërë një gabim të madh, duke ulur 258,000 vende nga muajt e mëparshëm,” shkroi Trump në Truth Social, duke akuzuar se këto lëvizje kishin për qëllim të ndihmonin kandidaturën e Kamala Harris për zgjedhjet presidenciale të 2024-ës.
Ai deklaroi se McEntarfer do të zëvendësohet nga një person “më kompetent dhe i kualifikuar”, duke theksuar se “shifrat e rëndësishme si këto duhet të jenë të sakta dhe të paanshme”.
McEntarfer ishte konfirmuar nga Senati amerikan me 86 vota pro dhe 8 kundër, në janar të vitit 2024, për një mandat katërvjeçar. CNN ka kërkuar koment nga ajo pas shkarkimit, por ende nuk ka reagim zyrtar.
Trump ka kritikuar shpesh BLS-në gjatë karrierës së tij politike, si për shifrat e papunësisë në vitin 2016, ashtu edhe për raportin e vitit 2024 që zbuloi mbishënime në të dhënat vjetore të punësimit. Megjithatë, ai dhe ekipi i tij i kanë lavdëruar shifrat kur kanë qenë në favor të administratës.
Ekspertët ekonomikë kanë reaguar me shqetësim ndaj këtij shkarkimi. Jason Furman, profesor në Harvard dhe ish-këshilltar i ekonomisë në administratën Obama, e quajti të “papranueshme” ndërhyrjen politike në një institucion që duhet të jetë jopartiak dhe i besueshëm.
“Statistikat e sakta janë jetike për funksionimin e ekonomisë. Kur qeveritë fillojnë të manipulojnë të dhënat, pasojat ekonomike janë të pashmangshme,” theksoi Furman.
Ky zhvillim ndodh në një kohë kur ritmi i punësimit në SHBA ka pësuar rënie të ndjeshme, duke shtuar pasiguritë për ecurinë ekonomike në prag të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.