Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka adresuar një mesazh falënderimi dhe mirënjohjeje për tre punonjës të Patrullës së Përgjithshme në DVP Korçë, të cilët, me guxim dhe humanizëm, shpëtuan nga zjarri një qytetar të moshuar, duke rrezikuar jetën e tyre.

Ngjarja ndodhi në një lagje periferike të qytetit të Korçës, ku i moshuari ishte rrethuar nga flakët dhe rrezikonte të asfiksohej dhe të digjej. Punonjësit e Policisë, Laura Leka, Aurel Jesku dhe Klodian Dulellari, u futën mes flakëve pa hezitim dhe arritën të nxjerrin të moshuarin në kohë.

Në mesazhin e tij, Drejtori i Përgjithshëm u shpreh:

> “Ndihem thellësisht i emocionuar dhe krenar për guximin, sakrificën dhe humanizmin tuaj. Me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi, rrezikuat jetën për të shpëtuar një qytetar. Ky akt fisnik tregon më së miri se të jesh pjesë e Policisë së Shtetit është një mision i shenjtë në mbrojtje të jetës.”

 

Proda theksoi se për Policinë e Shtetit, shërbimi ndaj qytetarëve nuk është thjesht një detyrë institucionale, por një thirrje për të qenë pranë njerëzve në momentet më të vështira. Ai i falënderoi nga zemra për shembullin frymëzues dhe për nderin që i bënë uniformës blu.

“Krenar për ju dhe për të gjithë efektivët që me veprime të tilla rrisin besimin e qytetarëve tek Policia,” përfundoi ai.

 

Një shembull i rrallë trimërie dhe përkushtimi, që tregon se pas uniformës blu fshihen njerëz të zakonshëm me vullnet të jashtëzakonshëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu