
Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në Ksamil, ku një konflikt i mëparshëm për pronësinë e një zone plazhi ka degjeneruar në dhunë fizike.
Mësohet se sherri ka ndodhur mes dy biznesmenëve lokalë: Agim Taraj, pronar i “Sunset Restorant Ksamil”, dhe Albert Pashaj, pronar i “Euro Hotel Ksamil”. Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të hotelit të Pashajt, në sy të fëmijëve të tij.
View this post on Instagram
Burime bëjnë me dije se mes dy sipërmarrësve ka pasur konflikte të përsëritura lidhur me kontrollin e vijës bregdetare përpara hoteleve respektive – një territor që prej vitesh është kthyer në mollë sherri për shumë biznesmenë në zonat turistike.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:45. “Në Ksamil, gjatë një konflikti për motive të dobëta, është dhunuar me sende të forta shtetasi A. P. Menjëherë është bërë shoqërimi i shtetasit A. T., si autor i dyshuar i dhunës,” – thuhet në deklaratë. Po ashtu, policia vijon punën për identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në përleshje.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh mes pushuesve dhe banorëve të zonës, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje në vijim.