
Në ambientet e Kryeministrisë u zhvillua edhe këtë vit fushata vullnetare për dhurimin e gjakut, një traditë që tashmë është bërë pjesë e kalendarit të saj social. Kryeministri Edi Rama, i cili është vetë një dhurues i rregullt, iu bashkua sërish kësaj nisme së bashku me punonjës të administratës së tij.
Në një mesazh sensibilizues për qytetarët, Rama theksoi rëndësinë e këtij akti si një gjest solidariteti njerëzor dhe një ndihmë jetike për ata që kanë më shumë nevojë. Ai u ndal edhe te përfitimet shëndetësore që ka dhurimi i gjakut për vetë dhuruesin:
“E dini që kjo është shumë pozitive për organizmin? Të rinon, të rigjeneron, të pastron. Përveçse është një kontribut shumë i vyer për ata që kanë nevojë. Duhet të mendosh edhe për prindërit që kanë fëmijët me këto nevoja, por përtej kësaj, është shumë zhvillim pozitiv për trupin tënd”, – tha Kryeministri.
Kjo nismë është pjesë e një fushate më të gjerë për të ndërgjegjësuar publikun për rëndësinë e dhurimeve vullnetare të gjakut, si një mënyrë për të forcuar ndjenjën e solidaritetit dhe për të përmirësuar sistemin shëndetësor në vend.