Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot në rrjetet sociale për situatën e zaptimit të hapësirave publike në zonën e 21 Dhjetorit në Tiranë, duke e quajtur një “situatë klasike të toke të zënë”. Ai paralajmëron se ata që nuk i heqin vetë barrikadat e ngritura në trotuare apo hapësira të përbashkëta, do të përballen jo vetëm me gjoba administrative, por edhe me ndjekje penale.

Sipas Ramës, këto pengesa për qytetarët variojnë nga tavolina dhe frigoriferë të vendosur në trotuare, deri te ndërtimi i mureve apo trarëve të improvizuar si “dogana” rreth pallateve.

“Koha për t’u bërë bashkë të gjithë në emër të bashkëjetesës në të njëjtën lagje; shumica duke marrë mbrapsht atë që i takon dhe pakica duke kthyer mbrapsht atë që nuk i takon”, shkruan Rama, duke bërë thirrje për bashkëpunim dhe respekt të hapësirës publike.

Kryeministri paralajmëron se masat ndëshkuese do të përfshijnë akuzat për shkatërrim të pronës publike, cenim të sigurisë dhe shëndetit të qytetarëve.

Më pas postoi edhe një ultimatum për Vlorën:

“Tani thirrja ime për të tërë zaptuesit e trotuareve në Lungomare është: Keni 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve, betonëve, duke i tërhequr “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares! Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë!”, shkruan Rama në X, ndër të tjera.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu