
Wang Ning, 38 vjeç, CEO i kompanisë Pop Mart dhe mendja krijuese pas kukullës tepër të njohur Labubu, është renditur tashmë mes 10 miliarderëve më të rinj në Kinë, me një pasuri të raportuar prej 22.7 miliardë dollarësh.
Rritja e tij marramendëse është rezultat i suksesit të jashtëzakonshëm të modelit të biznesit “blind box” të Pop Mart, i cili mbështetet tek emocionet që krijon surpriza dhe dëshira për të koleksionuar produkte unike. Ky model ka fituar një popullaritet të madh, veçanërisht mes brezit të ri.
Kukulla Labubu, që është kthyer në një mani globale për brezin Gen Z, ka marrë hov të ri falë mbështetjes nga personazhe të njohur të skenës botërore, përfshirë edhe ikonën Rihanna. Kjo përkrahje, së bashku me lëshimet e limituara, ethet për rishitje dhe përhapjen virale në rrjetet sociale, e kanë kthyer Pop Mart në një ndër markat më me ndikim në kulturën moderne të lodrave dizajnuese.
Pop Mart po sheh një rritje të vazhdueshme në tregjet ndërkombëtare, duke përforcuar pozitën e saj si një fenomen global që shkon përtej lodrës – një simbol kulture për një brez që kërkon unikalitet dhe përvojë.