Ish-Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur një formë të pazakontë komunikimi publik këtë të mërkurë, duke publikuar një letër të hapur drejtuar ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, me të cilin ndan përjetimet personale nga dita e arrestimit deri te qëndrimi në burg.

Në letrën e gjatë, Meta përshkruan me ironi dhe sarkazëm momentet që përshkruan si “rrëmbim” nga forca speciale:

>“Janë banditë që po përpiqen të rrëmbejnë ndonjë oligark në mes të ditës apo forca speciale që kërkonin shefin e madh të Sinaloas apo Ndranghetas?”, shkruan ai.

 

Sipas Metës, pjesëtarët e forcave të rendit që ndërhynë për arrestimin e tij nuk u identifikuan dhe nuk paraqitën urdhër-arrest, duke e krahasuar situatën me rrëmbimin e Aldo Moros në Itali. Ai thotë se në momentin e ndalimit, ishte veshur me bluzën e “Celtic FC” dhe ndoshta ishte ngatërruar me ndonjë tjetër.

Ironi për kushtet në burg

Meta më tej flet për qëndrimin në burgun 313, ku thotë se i janë ofruar aktivitete si ping-pong dhe volejboll, por për shkak të “arsyeve të sigurisë”, më vonë iu ndalua edhe kjo e drejtë.

> “Fatmirësisht ping-pongu u miratua, ndërsa volejbolli jo. Pastaj ma hoqën edhe ping-pongun se paskam folur pas orës 20:00 me telefonin e burgut”, shkruan ai.

 

Meta ironizon vendimet disiplinore duke përmendur edhe një rast ku nuk është lejuar të takohet me të katër anëtarët e familjes në të njëjtën kohë, edhe pse kjo ishte lejuar për muaj me radhë më parë.

Akuza për bllokim komunikimi dhe censurë

Ish-kreu i shtetit flet për një tjetër episod kur thotë se iu bllokua komunikimi në telefon ditën kur kishte paralajmëruar një konferencë për shtyp, duke ndikuar edhe te të burgosurit e tjerë që nuk mund të flisnin me familjarët. Po ashtu, pretendon se nuk i lejohet më të komunikojë me zëdhënësin e tij, Tedi Blushi.

> “Shokë ideali, s’ke ç’tu thuash”, i shkruan Meta Ahmetajt, duke nënkuptuar se edhe ky i fundit është viktimë e një skeme politike.

 

Në fund, Meta i rikujton Ahmetajt momentin kur e dekretonte si Ministër të Rindërtimit dhe Pandemisë, duke e quajtur “aktor të madh” dhe duke i lënë të kuptohet se do të rikthehet me letra të tjera.Ilir Meta ndodhet aktualisht në paraburgim, i akuzuar nga SPAK për disa vepra penale, mes tyre pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Ai ka mohuar akuzat dhe ka cilësuar arrestimin si politik. Ndërkohë, edhe Arben Ahmetaj ndodhet jashtë vendit dhe është subjekt hetimi nga SPAK për çështjen e inceneratorëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu