Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së politikanit britanik Nigel Farage, i cili pretendoi se “1 në 50 shqiptarë në Britani janë në burg”, duke e cilësuar këtë si një tjetër gënjeshtër nga manuali i politikës së post-Brexit-it.

Përmes një reagimi në platformën X, Rama e ironizoi Farage-in, duke e përshëndetur me një ton thumbues:
“Çfarë nderi – për një ‘gjigand’ siç më përshkroi ai (nga një ‘vend i vogël’, natyrisht) – të tërheq vëmendjen e mjeshtrit të padiskutueshëm të politikës titujsh në Britani.”

Kryeministri theksoi se pretendimi i Farage për “1 në 50 shqiptarë në burg” nuk qëndron dhe është “një absurditet i denjë për gazetat tabloid”.

“Nëse analizohen realisht shifrat – edhe duke supozuar se çdo shqiptar në burg është fajtor – përqindja e kriminalitetit në mesin e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar është po aq e ulët, në mos më e ulët, se ajo në popullatën britanike.”

Në një sfidë të drejtpërdrejtë për Farage-in, Rama i ofroi një zgjidhje që përzien ironi, diplomaci dhe faktet:

“Nëse shifra jote ‘1 në 50’ del e saktë, unë angazhohem personalisht t’i marr të gjithë mbrapsht. Por nëse është vetëm një ‘fakt’ tabloidësh, atëherë ti do të vish në Shqipëri, si i ftuar nderi.”

Ai ftoi Farage-in të vizitojë vendin, të njohë mikpritjen shqiptare dhe të angazhohet publikisht që, në të ardhmen, kur dikush shpif për shqiptarët, ai të jetë i pari që i del për zot të vërtetës.

“Një verifikim faktesh për një dëbim total – ose një pushim total, me disa nga njerëzit më të ngrohtë që do të njohësh ndonjëherë,” përfundoi Rama, me një ftesë që tejkalon debatin dhe fton në dialog civilizues.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu