Emri i Samir Manes, biznesmenit më të fuqishëm shqiptar, po përhapet përtej kufijve të Shqipërisë. Së fundmi, media greke Protothema i ka kushtuar një artikull të gjatë, duke e portretizuar si miliarderin e parë shqiptar dhe një nga figurat më të suksesshme të Ballkanit Perëndimor.

Në shkrimin e titulluar “Samir Mane, miliarderi i parë shqiptar – Si iku nga regjimi i Hoxhës dhe ndërtoi perandorinë e tij”, Protothema thekson se Mane është sot një prej emrave më të rëndësishëm në listën e Forbes, ku zë vendin e 2,376-të me një pasuri prej 1.5 miliardë dollarësh, e barabartë me 6.37% të PBB-së së Shqipërisë për vitin 2024.

Media greke risjell edhe ndryshimin e perceptimit për shqiptarët në Greqi. Nga komentet raciste që dëgjoheshin 35 vite më parë, tani një shqiptar është bërë simbol i suksesit ekonomik në mbarë rajonin.

Perandoria Balfin dhe partneriteti me “Jumbo”

Pjesë e profilit është edhe bashkëpunimi i Manes me grekun Apostolos Vakakis, pronar i rrjetit të njohur “Jumbo”. Të dy biznesmenët po punojnë për zgjerimin e “Jumbo” në Moldavi, pas suksesit të dyqaneve në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Sipas Protothema, rrjeti ka arritur në 26 dyqane në rajon, përfshirë tre në Tiranë. Vakakis ka folur me nota shumë pozitive për Manen, duke e quajtur atë si krijues të një “perandorie të vërtetë ekonomike”.

Një “lojtar dominues” në Ballkan

Artikulli nënvizon se Samir Mane, përmes Grupit Balfin, është një lojtar dominues në sektorët e shitjes me pakicë, pasurive të paluajtshme, turizmit dhe bankave.

Balfin operon në 11 vende dhe tetë sektorë, nga Austria në SHBA, dhe punëson mbi 5,500 persona, ndërsa qendrat tregtare të tij vizitohen nga 28 milionë konsumatorë në vit.

Sipas medias greke, të ardhurat e grupit për vitin 2024 arritën në 880 milionë euro, me fitime neto prej 120 milionë eurosh. 62% e të ardhurave vijnë nga shitja me pakicë, 20% nga pasuritë e paluajtshme dhe pjesa tjetër nga sektori bankar dhe logjistika.

A do të zgjerohet në Greqi?

Përkundër profilit të lartë, Mane nuk synon të hyjë në tregun grek përtej bashkëpunimit me “Jumbo”. Protothema rikujton edhe marrëdhënien e tij me sektorin bankar grek përmes Tirana Bank, dikur pjesë e Piraeus Bank.

“Zgjerimi në sektorin bankar tregon dominim absolut të Manes në peizazhin e biznesit shqiptar”, përfundon media greke.

Me suksesin e tij që tejkalon kufijtë kombëtarë, Samir Mane po shndërrohet në një nga figurat më të rëndësishme ekonomike të rajonit, me ambicie që shkojnë përtej Ballkanit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu