
Trashëgimtarja e fronit spanjoll, Princesha Leonor, ka mbërritur në qytetin e Nju Jorkut ditën e mërkurë, pas një udhëtimi pesëmujor nëpër oqean me anijen stërvitore të Marinës Mbretërore Spanjolle, Juan Sebastián de Elcano.
E veshur me uniformën e bardhë ushtarake të zbukuruar me simbole të zinj, 19-vjeçarja Leonor shfaqi gjallëri dhe disiplinë teksa përshëndeti qytetarët amerikanë nga bordi i anijes, së bashku me kadetë të tjerë të marinës. Kjo dalje publike vjen si pjesë e formimit të saj të gjerë ushtarak, të nisur në vitin 2023, në përputhje me traditën që trashëgimtarët e kurorës në monarkitë parlamentare të ndjekin një karrierë ushtarake.
Sipas mediave spanjolle, Princesha Leonor nuk do të rikthehet në Spanjë me të njëjtën anije. Ajo pritet të udhëtojë me avion dhe të bashkohet me kolegët e saj më 7 korrik në Gijón, ku do të fillojë një fazë të re të trajnimit në bordin e fregatës Blas de Lezo, një ndër anijet më të avancuara të marinës spanjolle.
Gjatë dy viteve të fundit, Leonor ka ndjekur trajnimin në Akademinë Ushtarake të Përgjithshme në Zaragoza dhe, më vonë këtë vit, do të vijojë me përgatitjen në Forcën Ajrore në Akademinë Ajrore të Përgjithshme në Santiago de la Ribera. Ky formim i thelluar ushtarak paraprin studimet universitare të saj, duke ndjekur shembullin e babait të saj, Mbreti Felipe VI.
Ndërkohë, familja mbretërore spanjolle vazhdon të përballet me sfida për të rikthyer imazhin e saj publik, pas një dekade skandalesh që përfshinë ish-mbretin Juan Carlos dhe së fundmi edhe tensione brenda martesës së mbretit aktual. Megjithatë, Princesha Leonor duket se përfaqëson një gjeneratë të re që synon të sjellë një frymë ndryshe dhe më moderne për monarkinë spanjolle.