
Tiranë, 4 Qershor 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për një nga çështjet më të mëdha të korrupsionit të viteve të fundit, duke dërguar për gjykim dosjen e procedimit penal nr. 214/1 të vitit 2023. Në këtë çështje, nën akuzë janë 23 individë dhe 2 persona juridikë, për përfshirje në një skemë të mirëorganizuar korrupsioni, mashtrimi dhe pastrimi parash përmes tenderave publikë në institucionet shtetërore.
Në qendër të hetimit qëndron ish-drejtori i Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, i cili akuzohet për 11 vepra penale, përfshirë shkeljen e barazisë në tendera, korrupsion pasiv dhe pastrim parash, në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur.
Sipas SPAK, hetimi i çështjes nisi mbi bazën e referimeve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe ka zbuluar një sërë tenderash të manipuluar gjatë viteve 2020–2022, përmes të cilëve janë favorizuar kompani të lidhura ngushtë me zyrtarë të lartë shtetërorë. Mes tyre veçohen:
- Menaxhimi i projektit GOAL – 29,800 euro
- Studimi për kulla karikimi për makina elektrike – 68.7 milionë lekë
- Mbikëqyrja e punimeve të tunelit të Llogarasë – 196.2 milionë lekë
- Supervizimi i rrugëve dhe mirëmbajtjes – me vlera që tejkalojnë 100 milionë lekë
SPAK ka evidentuar se Evis Berberi ka qenë pronar de facto i kompanisë “DAAM” sh.p.k, një nga përfitueset e tenderave, pronësia e së cilës është kaluar fiktivisht në emër të bashkëpunëtorëve të tij, për të fshehur gjurmët. Përmes kësaj kompanie dhe të tjerëve të përfshirë, Berberi ka menaxhuar miliona lekë, të përdorura për interesa personale dhe për të krijuar një rrjet korrupsioni sistematik.
Në mesin e të pandehurve të tjerë janë Valter Begaj, Ervis Lami, Brunilda Buli, dhe një sërë zyrtarësh të institucioneve publike, të cilët akuzohen për veprime të ndryshme penale që nga korrupsioni aktiv dhe pastrim parash, deri tek shpërdorimi i detyrës dhe falsifikimi i dokumenteve.
Po ashtu, dy kompani private, “DAAM” sh.p.k dhe “Net Group” sh.p.k, janë vënë nën akuzë për përfshirje aktive në korrupsion dhe pastrim parash, në bashkëpunim me zyrtarët publikë.
Dosja e dorëzuar në gjykatë nga SPAK përmban prova të siguruara përmes teknikave të posaçme të hetimit, sekuestrimeve të kryera në banesa dhe ambiente pune, si dhe analizë të transaksioneve financiare dhe komunikimeve të të pandehurve.
Kjo çështje pritet të jetë një nga proceset më të rëndësishme të gjyqësorit për vitin 2025, dhe konfirmon angazhimin e institucioneve të drejtësisë për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta të administratës publike.