
Policia e Tiranës ka finalizuar një tjetër operacion kundër mashtrimeve financiare me call center, duke çuar në pranga dy shtetas që dyshohet se mashtronin qytetarë të huaj përmes investimeve të rreme në bursa.
Operacioni policor i koduar “Last Call”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, çoi në arrestimin e Olsi Vaskit, 35 vjeç, dhe Admir Beharit, 32 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Hetimet zbuluan se të arrestuarit administronin një ambient të përshtatur si call center në zonën e Rrugës së Barrikadave, të cilin e përdornin për të kontaktuar shtetas të huaj dhe për t’i bindur që të investonin në bursa fiktive, përmes skemave të mashtrimit.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 5 laptopë dhe 2 aparate celularë që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme. Subjekti operonte pa licencë dhe nuk ishte i regjistruar në organet tatimore.