
Një studim i ri sugjeron se puthjet, përveç përhapjes së infeksioneve si gripi apo herpes, mund të shërbejnë edhe si urë për përhapjen e problemeve të shëndetit mendor si depresioni dhe ankthi.
Hulumtimi, i publikuar në revistën Exploratory Research and Hypothesis in Medicine, ndoqi 268 çifte të sapomartuara iraniane për një periudhë 6-mujore. Tek çiftet ku njëri partner vuante nga depresioni, ankthi apo probleme me gjumin, partneri tjetër – që fillimisht ishte i shëndetshëm – nisi të shfaqte simptoma të ngjashme me kalimin e kohës.
Sipas studiuesve, arsyeja kryesore janë bakteret orale që transmetohen përmes puthjeve. Vetëm një puthje 10-sekondëshe mund të transmetojë deri në 80 milionë baktere. Kur një person përjeton depresion ose ankth, trupi çliron hormonin e stresit kortizol, i cili mund të prishë balancën delikate të florës bakteriale në gojë. Kjo “mikrobiomë e shqetësuar” kalon te partneri dhe lidhet me përkeqësim të mirëqenies mendore edhe tek ai.
Mostrat e pështymës dhe analizat e ADN-së treguan se tek çiftet ku vetëm njëri partner ishte në gjendje të keqe mendore, partneri tjetër zhvilloi një mikrobiomë të ngjashme në gojë pas 6 muajsh. Kjo ndikoi më shumë tek gratë.
Bakteret që u identifikuan si të zakonshme në këtë përhapje përfshinin Clostridia, Veillonella, Bacillus dhe Lachnospiraceae – disa prej të cilave mendohet se ndikojnë negativisht në shëndetin mendor dhe imunitetin.
Megjithëse studimi ka kufizime – si mosmarrja në konsideratë e stilit të jetesës dhe dietës – ai hap rrugën për kërkime të mëtejshme mbi ndikimin e baktereve orale në shëndetin e trurit.
Ky zbulim i ri vërteton edhe një herë se lidhja midis partnerëve nuk është vetëm emocionale apo hormonale – por mund të jetë edhe bakteriale. Studiuesit theksojnë se efektet e shëndetit mendor te një person mund të kenë një “efekt domino” mbi të afërmit, madje edhe në nivel mikrobiologjik.
i