Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar zyrtarisht se kompania postare DHL, ka shkelur kontratën e nënshkruar për procesin e shpërndarjes dhe grumbullimit të fletëve të votimit në Greqi, duke përfshirë nënkontraktorë të tjerë, ndonëse kjo nuk ishte e parashikuar në marrëveshjen fillestare.

Në një përgjigje zyrtare ndaj shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, KQZ sqaron se kontrata nuk parashikonte delegimin e detyrave tek poste të tjera, çka përbën shkelje të kushteve të dakorduara.

Megjithatë, KQZ deklaron se ka marrë garanci nga DHL se çdo fletë votimi është dorëzuar vetëm pasi është firmosur personalisht nga zgjedhësi. Kompania ka siguruar se nuk ka dhënë asnjë fletë votimi pa praninë dhe firmën e votuesit, duke përjashtuar mundësinë që fletët të kenë përfunduar në duar të tjera.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka theksuar se të dhënat e paraqitura nga DHL nuk japin asnjë provë për devijim të fletëve të votimit apo përfshirje të palëve të treta në këtë proces. Ai ka përjashtuar në këtë fazë çdo dyshim mbi manipulimin e votës apo shkeljen e integritetit të saj.

Për këtë situatë, KQZ ka informuar edhe Partinë Demokratike, duke nënvizuar transparencën në trajtimin e rastit./klan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu