
TIRANË- Mbyllet numërimi i 5225 kutive të votimit brenda vendit për partitë, teksa vijon ai për votën e diasporës në parkun olimpik “Feti Borova’ në Tiranë dhe votat preferenciale për kandidatët.
Partia Socialiste nën udhëheqjen e Edi Ramës merr mandatin e katërt me një triumf, duke korrur plot 83 mandate me mbi 52% të votave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi sot në mesnatë se e ka përfunduar procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave për votimin brenda territorit të Shqipërisë, në përputhje me afatet e parashikuara në Kodin Zgjedhor. Procesi ka përfshirë të gjitha subjektet zgjedhore, partitë politike dhe koalicionet në 12 qarqet e vendit.
Gjiknuri në Vlorë! Alimehmeti i pari në kryeqytet nga PD, Ilir Meta vetëm 1170 vota
Ndërkohë që vota e diasporës po numërohet paralelisht dhe pritet të jetë përcaktuese në numrin e mandateve edhe në disa qarqe, bashkë me votat preferenciale për kandidatë.
Rezultatet tregojnë se PS ka marrë deri më tani mbi 730 mijë vota në rang kombëtar, ndërkohë që Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë në rënie drastike në të gjithë vendin, teksa kanë 34,2%, ose mbi 480 mijë vota, me 250 mijë vota diferencë nga socialistët. Madje, PS ka pësuar rritje edhe në bastionet e djathta, ndërsa rezultatin në Dibër e përmbysi në favor të saj.
PD zbriti me 2 mandate, nga 52 në 50. Një ia mori PS-ja në Vlorë, pas votës së diasporës, dhe një ia mori Agron Shehaj në Tiranë, i cili shkon në 2 mandate.
Sali Berisha, i cili po kërkon rikthimin, jo vetëm që nuk e gjeti, por ka pësuar një humbje të thellë duke fundosur përfundimisht opozitën. Deri më tani, PD ka marrë 34.28% që i përkthehet në 50 mandate, 13 më pak se në 2021 kur kishin 63 mandate (59 PD dhe 3 LSI).
PSD e Tom Doshit ruan 3 mandate me 3.4% të votave. Nga 1 mandat marrin Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet me 3.5% të votave dhe Lëvizja Bashkë me 1.4% të votave. Partitë e tjera të vogla nuk arrijnë të marrin asnjë mandat.
Numërimi ka përfunduar në 12 qarqet Berat, Dibër, Lezhë, Kukës, Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Elbasan, Shkodër, Durrës, Fier dhe në Tiranë, që ishte qarku i fundit. PS merr mbështetje masive dhe nga diaspora, me rreth 54% të votave përkundrjet 29% për PD dhe aleatët.
Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së:
• Numri i zgjedhësve në listën brenda vendit ishte 3.467.962.
• Kanë votuar 1.458.251 zgjedhës, duke shënuar një pjesëmarrje prej 42.21%.
• Janë konsideruar të vlefshme 1.402.820 vota, ndërsa 55.334 vota janë shpallur të pavlefshme./shqiptarja