
KLOS, 8 MAJ 2025 – Një operacion i përmasave të mëdha është duke u zhvilluar në zonën “Qafa e Burrelit”, pranë fabrikës së përpunimit të kromit në Bashkinë Klos, pas një rrëshqitjeje masive dheu që ndodhi më 3 maj 2025, rreth orës 14:30. Gjatë kësaj ngjarjeje, një punonjës i një kompanie private që operon në fushën e shfrytëzimit të mineraleve, mbeti i zënë nën dhe gjatë punës me një ekskavator.
Masivi i dheut ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth 2 kilometrash, duke krijuar vështirësi të mëdha për ndërhyrje në terren. Që prej momentit të ngjarjes, janë angazhuar struktura të shumta shtetërore dhe vullnetarë për lokalizimin e trupit të punonjësit të humbur.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë përfshirë:
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera (AKSEM) me 74 punonjës dhe pajisje speciale si kamera termike dhe skaner nëntokësor.
Forcat e Armatosura me 151 efektivë nga repartet e ndryshme ushtarake, përfshirë edhe ekspertë të kërkim-shpëtimit në rrënoja dhe detektorë metalesh.
Policia e Shtetit, me 24 efektivë të përfshirë në sigurinë e zonës dhe mbështetjen logjistike.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, me specialistë në analizën e terrenit.
Urgjenca Mjekësore, e pranishme për të garantuar ndërhyrje të menjëhershme në rast nevoje.
View this post on Instagram
Strukturat vendore të Bashkisë Klos, Bashkisë Mat dhe Prefekturës Dibër.
Vullnetarë, me 535 qytetarë dhe dy ekskavatorë që vijojnë gërmimet në segmentet më të ndjeshme të zonës.
Ndihmë ndërkombëtare ka ardhur nga Kosova, ku më 7 maj është bashkuar me operacionin një ekip i specializuar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, përbërë nga 12 efektivë dhe 2 qen të trajnuar për gjetjen e personave nën rrënoja.
Sipas vlerësimeve në terren, rrëshqitja ka përshkuar një distancë prej rreth 6 kilometrash në një terren tepër të vështirë, duke e bërë operacionin kompleks dhe kërkues për kohë dhe burime të shumta.
Operacioni po koordinohet nga AKSEM në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe strukturat vendore, të cilat mbeten maksimalisht të angazhuara deri në përfundimin e tij dhe gjetjen e personit të zhdukur.