
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, ka bërë një njoftim të rëndësishëm për shqiptarët që jetojnë në Greqi, duke i informuar se nesër, më 3 maj, zyrat e DHL, Speedex dhe Courier Center do të jenë të hapura në të gjithë territorin grek për dorëzimin dhe marrjen e zarfeve të votimit për zgjedhjet shqiptare të 11 majit.
“Lutemi që të gjithë shqiptarët të dorëzojnë zarfin sa më parë, që vota të mbërrijë në kohë në Shqipëri,” shkruan Balla, duke theksuar se shërbimi është aktiv në shumë zona, përfshirë Korfuzin, Rodhosin, Halkidhikin, Zakynthosin, Lefkadhën, Kefaloninë, Santorinin, Kosin, Parosin dhe më gjerë.
Për shqiptarët në Korfuz dhe Rodhos, DHL do të ofrojë shërbim edhe të dielën, më 4 maj, në katër pika të ndryshme. Në Halkidhiki, DHL do të jetë e pranishme në bashkinë e Ierissosit nga ora 13:00 deri në 16:00. Ndërkohë, në ishujt e tjerë si Zakynthos, Lefkadha, Kefalonia, Santorini, Kos dhe Paros, shërbimi është i mundur përmes pikave Speedex dhe Courier Center.
“Drejtuar shtetasve që jetojnë në Halkidhiki:
Ju njoftojmë se nesër, më 3 maj, kompania DHL do të jetë e pranishme në Bashkinë e Ierissosit, nga ora 13:00 deri në 16:00, për shpërndarjen dhe tërheqjen e zarfeve nga shtetasit shqiptarë.
Drejtuar shtetasve që jetojnë në ishujt Zakynthos, Lefkadha, Kefalonia, Santorini, Kos, Paros:
Që akoma nuk keni marrë zarfin tuaj, lutemi t’i drejtoheni pikave të shërbimit postar Speedex dhe Courier Center për të tërhequr zarfin tuaj.”
Balla i bën thirrje të gjithë votuesve që të dorëzojnë zarfin e verdhë në njërën nga pikat e shërbimit; nëse kërkojnë marrje nga banesa, të specifikojnë që bëhet fjalë për dërgesë votimi për zgjedhjet shqiptare dhe të japin kodin 10-shifror të zarfit, shkruan Balla, duke shtuar edhe numrat e kontaktit për secilën kompani shërbimi në llogarinë e tij në Facebook.