Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një takimi me banorët e Dibrës këtë të premte, theksoi se zgjedhjet e 11 majit janë më shumë se një përballje partiake — ato janë një moment historik për të përcaktuar rrugën europiane të Shqipërisë.

“Partia Socialiste është makina ku duhet hipur për të vazhduar rrugën përpara, por nuk është vetë rruga. Rruga është Bashkimi Europian!”, tha Rama, duke bërë thirrje që votuesit të kapërcejnë kufijtë partiakë dhe të shohin zgjedhjet si një moment për të ndarë të shkuarën nga e ardhmja.

Rama u ndal gjatë te investimet në veri, sidomos te rruga e Arbrit dhe përfundimi i segmentit Maqellarë–Peshkopi, duke theksuar se Dibra tashmë është “lagje e Tiranës” dhe një destinacion turistik që do të shënojë transformim të madh në vitet që vijnë. Ai ironizoi akuzat e opozitës se “Edi Rama nuk do veriun” dhe tha se faktet flasin vetë, pasi qeveria e tij ka investuar më shumë pikërisht në qarqet që tradicionalisht kanë qenë mbështetëse të opozitës.

Kryeministri bëri thirrje për unitet: “Në 11 maj nuk duhet shkuar me fanellë partie, duhet shkuar me flamurin kuqezi. Shqipëria në Bashkimin Europian është një Shqipëri tjetër, është një hapësirë e re, një shpresë e re.”

Në fund, Rama nuk i kurseu ironitë ndaj opozitës dhe partive të reja: “Apo disa që thonë ‘jemi parti të reja’… nuk kanë asgjë të re, janë një rikthim i farës së vjetër të LSI-së. Ne duam të hyjmë në BE, ata duan zgjedhje të parakohshme.”

Rama e mbylli takimin me një thirrje të drejtpërdrejtë për gratë e zonës: “Gratë dibrane janë shtyllat e pazëvendësueshme të këtij vendi, dhe sot kemi në dorë një fat historik: të përcaktojmë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu