
Këngëtarja dhe kompozitorja me prejardhje shqiptare, Elina Duni, është shpallur fituese e Çmimit Zviceran të Xhazit për vitin 2025. Ceremonia e ndarjes së këtij çmimi do të mbahet gjatë Festivalit të Xhazit në Ascona, ku ajo do të interpretojë më 28 qershor, përpara se të marrë çmimin.
Duni është pjesë e shtëpisë diskografike prestigjioze ECM dhe ka fituar më parë Çmimin Zviceran të Muzikës në vitin 2017. Në njoftimin e publikuar nga organizatorët, ajo vlerësohet për mënyrën e veçantë se si krijon një gjuhë muzikore të ndjerë e poetike, duke ndërthurur me mjeshtëri elemente të xhazit me trashëgiminë muzikore tradicionale shqiptare.
Artistja ka nxjerrë disa albume me ECM, përfshirë “Matanë Malit” (2012) dhe “Dallëndyshe” (2015). Në vitin 2018 publikoi albumin “Partir”, pas fillimit të bashkëpunimit me kitaristin Rob Luft në 2017. Kjo bashkëpunim solli edhe albumet “Lost Ships” (2020) dhe “A Time to Remember” (2023), në të cilat mori pjesë edhe Matthieu Michel në flugelhorn.
E lindur në Tiranë në një familje artistësh, Duni emigroi në Gjenevë me nënën e saj pas përfundimit të regjimit komunist në Shqipëri. Aty ndoqi studimet për piano klasike, përpara se të zhvendoste fokusin te muzika xhaz. Më pas vazhdoi studimet në Universitetin e Arteve të Bernës, ku u përqendrua në kompozicion dhe improvizim.
Në bashkëpunim me pianistin Colin Vallon, kontrabasistin Patrice Moret dhe bateristin Norbert Pfammatter, Duni themeloi kuartetin që mban emrin e saj – një grup që bashkon xhazin me tingujt frymëzues të folklorit ballkanik./balkanweb