
Në lidhje me një shkrim të publikuar në rrjetet sociale, ku kandidati për deputet i subjektit politik Partia Demokratike pretendon se nga Policia e Shtetit është ndaluar një shtetase në Balldre të Lezhës pasi dyshohet se është kapur në flagrancë duke blerë vota për llogari të Partisë Socialiste, sqarojmë opinionin publik se pretendimi i ngritur është i pavërtetë.
Po në interes të informimit publik, bëjmë me dije se më datë 26.04.2025, rreth orës 16:00, në sallën e Komandimit të DVP Lezhë ka ardhur një telefonatë për një konflikt të ndodhur në një lokal në Balldre, për verifikimin e të cilës shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë.
Nga grupi hetimor dhe shërbimet policore janë kryer të gjitha veprimet procedurale, ku nga tërësia e tyre, si këqyrje lokali, dëshmi palëve të përfshira dhe dëshmitarëve, si dhe veprimeve të tjera hetimore të domosdoshme për rastin, ka rezultuar se:
Lokali ku ka ndodhur konflikti është në pronësi të shtetases M. D., 62 vjeçe, banuese në Balldre, dhe prej disa kohësh ia kishte dhënë me qera shtetases D. N., 36 vjeçe, banuese në Balldre.
Të përfshirë në konflikt fizikisht ditën e sotme janë vetë marrësja me qera e lokalit shtetasja D. N., me shtetasen N. N., 32 vjeçe (vajza e shtetases M. D., pronares së lokalit), dhe arsyeja e konfliktit është për motive të dobëta, në lidhje me përdorimin e pajisjeve të lokalit.
Shtetasja D. N. është dërguar në spital, dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore është risjellë në ambientet e policisë për vazhdimin e procedurave.
Gjithashtu, në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes (dëshmitarë) janë shoqëruar shtetasja M. D. edhe dy shtetas të tjerë banues në Balldre, të cilët kanë qenë të pranishëm në lokal kur ka ndodhur konflikti.
Pas komunikimit me Prokurorin e gatshëm, do të referohen materialet hetimore në Prokurori për veprën penale “Dëmtime tjera me dashje” në ngarkim të shtetases N. N.