Numri i faqeve me përmbajtje të rreme në internet, të kamufluara si faqe lajmesh, tashmë ua kalon numrit të faqeve legjitime të mediave vendase, ndërsa Rusia po luan rolin e saj për shtimin e tyre, thonë analistët e mediave.
Puna kërkimore e organizatës NewsGuard që mbikëqyr dezinformimin, tregon se ka një rritje të faqeve të njohura për qarkullimin e përmbajtjes me cilësi të ulët ose të dezinformimit.
Këto faqe interneti krijohen zakonisht nga entitete të njëanshme, ose ato që prodhojnë përmbajtje të krijuar me qëllim tërheqjen e lexuesve drejt materialeve të paguara që sjellin fitim, thotë NewsGuard. Sipas kësaj organizate mbikëqyrëse, përdorimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale ka mundësuar shtimin e faqeve të tilla.
Redaktorja në organizatën NewsGuard për çështjet e inteligjencës artificiale dhe influencës së huaj, McKenzie Sadeghi, i tha Zërit të Amerikës se shifrat e rritura janë një zhvillim i zymtë që mund të përbëjë rrezik për lirinë e shtypit dhe për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Kjo kontribuon më tej për rënien e besimit tek mediat në internet, thotë ajo. voa
“Numri i këtyre faqeve është rritur, po kështu edhe për nga përmasat, gama dhe sofistikimi”, tha zonja Sadeghi. “Numri që regjistrohet tashmë, prej 1265 faqesh, ia tejkalon numrit të gazetave të përditshme në Shtetet e Bashkuara. Kjo është alarmuese”.
Sipas një tjetër projekti, Iniciativës Medill për Lajmet Lokale, pjesë e Fakultetit të Gazetarisë të Universitetit Northwestern, numri i faqeve legjitime të lajmeve lokale në Shtetet e Bashkuara ka rënë në nivelin më të ulët historik, në 1213.