
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Durrës me sipërmarrës të sektorit të turizmit, ku diskutoi për sfidat dhe pritshmëritë e sezonit veror 2025. Në prani të Ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, dhe Kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, Rama theksoi se turizmi është kthyer në një industri kyçe që ka transformuar imazhin e Shqipërisë.
Sipas Kryeministrit, Shqipëria është aktualisht ndër vendet me rritjen më të lartë të turizmit në Europë, me një shtim të ndjeshëm të numrit të vizitorëve dhe netëve të qëndrimit në strukturat akomoduese. Ai theksoi rëndësinë e investimeve në cilësinë e shërbimeve dhe ngritjen e standardeve për të tërhequr turistë që konsumojnë më shumë dhe sjellin përfitime të qëndrueshme.
“Duhet të fokusohemi te cilësia. Nuk është më koha e hedhjes së parave kuturu. Koha është që çdo qindarkë të investohet me vizion për shërbim të denjë,” tha Rama.
Ai vuri në dukje se turizmi ka dalë nga “xhungla” e viteve të kaluara, ku mungonin ligje dhe rregulla bazë, dhe theksoi se tani Shqipëria po përgatitet për një gjeneratë të re të industrisë turistike, me hotele me 5 yje dhe investime nga brande ndërkombëtare.
Në fokus të takimit ishin gjithashtu investimet në infrastrukturë, përfshirë zgjerimin e plazhit të Durrësit me 100 metra, projektet e marinës, dhe lidhjet e reja rrugore si Korridori Blu, që pritet të lehtësojë trafikun dhe të shtojë vlerën e zonës.
“Ne kemi vendosur një bazë solide, por duhet të ruajmë këtë moment të mirë. Nuk jemi ende aty ku duam, por jemi në rrugën e duhur,” shtoi Kryeministri, duke bërë thirrje për formalizim më të madh të sektorit dhe për zbatimin e sistemit të ri “e-Visitors” për regjistrimin e turistëve.
Takimi u mbyll me një mesazh bashkëpunimi dhe vetëdijësimi për përgjegjësitë që ndajnë qeveria dhe sipërmarrësit në zhvillimin e mëtejshëm të turizmit shqiptar.