Mes kujtimesh dhe emocionesh është përjetuar shfaqja në 4K e filmit të restauruar “Ngadhnjim mbi vdekjen”. Filmi është prezantuar në versionin e restauruar në kinema “Millenium”, 58 vite pas realizimit të tij, ndërkohë që të pranishëm në sallë ishin edhe regjisori Piro Milkani dhe artistë të ekipit të filmit.

Një nga filmat më ikonikë të kinematografisë shqiptare, me regji nga Gëzim Erebara dhe Piro Milkani, “Ngadhnjim mbi vdekjen” (1967) mbart me vete një histori të veçantë.

Ai është një prej filmave shqiptarë të cilëve iu ndalua qarkullimi për gati dy dekada gjatë periudhës së diktaturës komuniste, për shkak se në film interpreton Edi Luarasi, e dënuar pas Festivalit të 11-të të këngës në Radio Televizion.

Regjisori Piro Milkani sjell në vëmendje se ai ishte vetëm 29 vjeç kur realizoi këtë film dhe sot shpreh mirënjohje për të gjithë ata që e realizuan.

“Pas 58 vitesh asistoj me emocion të veçantë në këtë film, që për mua ka shënuar një ngjarje të rëndësishme të jetës sime, se ai film na nderoi. Nuk mund të përmend gjithë emrat, por shpreh mirënjohje për Peçi Dado, Gëzim Erebara, Saim Kokona, Feim Ibrahimi, Eglantina Kume, Edi Luarasi, Naim Frashëri etj. Falenderojmë Arkivin e Filmit dhe shpresojmë të digjitalizojë edhe filma të tjerë, sepse janë pjesë e historikut të kulturës dhe artit shqiptar.”, – thotë Milkani.

Aktorja Drita Haxhiraj, e cila në film interpreton rolin e Violetës, shoqes së heroinës kryesore, Mirës, rrëfen se ky film e kthen pas në kohë dhe i sjell kujtime nga Gjirokastra, atje ku filmi u xhirua.

“Kam kujtimet më të mira nga njerëzit rreth e rrotull, që rrinin e na shihnin në sheshin e xhirimit, por dua të kujtoj Piro Milkanin dhe Gëzim Erebarën, shoqen time të dhomës, Edi Luarasin. Emocionet janë njëlloj si atëherë që isha 20 vjeç. Më rreh zemra si në ato kohë, kur vrapoja në xhirime në gurët e Gjirokastrës. Përshëndes gjithë gratë e Gjirokastrës që na sillnin petulla, që thonë se janë kopracë, por nuk është e vërtetë. Janë njerëz shumë të mirë.”, – vëren Haxhiraj.

Për aktoren Eglantina Kume, restaurimi i filmit i kthen atij dinjitetin.

“Jam e lumtur për restuarimin e filmit dhe mendoj se iu rikthe dinjiteti filmit, se ka qenë edhe i dënuar për shumë vite dhe ne e kemi vuajtur shumë, të gjithë protagonistët e filmit.”

Piktori i filmit, Ksenofon Dilo, nënvizon faktin që filmi është xhiruar në një qytet të mrekullueshëm si Gjirokastra.

“Kanë kaluar shumë vjet, por e kemi parasysh këtë film gjithmonë se e kemi punuar me dashuri të madhe, jo vetëm për faktin e ngjarjes, por edhe se e xhiruam në një qytet të mrekullueshëm, të ëndrrave tona. Jam një nga ata që e kam pikturuar këtë qytet në të gjithë momentet e ditës: në mëngjes, në drekë, në darkë, në hije, në muzg, në mjegull se është qytet vërtet i rrallë. Ne e kemi të lidhur ngjarjen me atë qytet të bukur, të atyre xhirimeve, në kalanë e qytetit, për ta bërë një film të bukur që do të ndikonte në kohën e vet, por që shihet dhe sot me kënaqësi të madhe.”, – nënvizon Dilo.

Ndërsa e bija e kompozitorit të filmit, Etrita Ibrahimi vlerëson që filmi është bërë me një dashuri e sakrifica të mëdha.

“Është kënaqësi e madhe të jem këtu sonte si trashëgimtarja e kompozitorit të këtij filmi. As nuk kisha lindur në ato vite, por nga tregimet e familjes dhe miqve, di që muzika është shkruar në bodrumet e Shallvareve dhe është regjistruar në ato kushte aspak optimale, madje dhe të këqija. Është një mrekulli që ky film sot vjen i restauruar, se janë vlera, të cilat duhet të sillen përsëri në publik, t’iu transmetohen dhe brezave të rinj që nuk i njohin.”

E bija e aktorit Demir Hyskja rrëfen se ky film shenjoi karrierën e të atit.

“Është kënaqësi ta shoh, se para viteve ’90-të ka qenë i ndaluar. Jam shumë e emocionuar edhe se do të shoh dhe njëherë babin tim të ri, 30 vjeçar, kur luajti rolin e tij të parë. Është roli i parë që shenjoi rrugëtimin e babit nëpër filma.”

Ersila, mbesa e aktorit Naim Frashëri vlerëson që ky film iu përcillet brezave të rinj.

“Vetë e kam parë vonë këtë film, se ka qenë i ndaluar, e kam parë pas viteve ’90-të, por sigurisht në shtëpi kam dëgjuar ndonjë batutë lidhur me aktoret kryesore, Eglantinën apo Edi Luarasin. Më ka pëlqyer shumë kur e kam parë për herë të parë dhe shpresoj që edhe ata që e shohin sot për herë të parë, si djali im, ta pëlqejnë.”, – thotë ajo.

Edhe Petri Bozo, i biri i drejtorit të filmit, Todi Bozo ndan emocionet e tij, ndërsa vëren se kur është xhiruar filmi ka qenë dy vjeç.

“Jam rritur në oborrin e Kinostudios. Kur është bërë filmi kam qenë dy vjeç. Më merrte me vete. Kështu që kam përjetuar gjithë sheshxhirimet e Kinostudios.”, – shprehet Bozo.

I restauruar nga Augustus Color, si një projekt i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, versioni i restauruar në 4K rikthen shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit të filmit, duke ri-vlerësuar punën regjisoriale të Erebarës dhe Milkanit, skenarin origjinal të Peçi Dados, kamerën e Saim Kokonës, lojën e aktorëve dhe muzikën e Feim Ibrahimit./Shqiptarja.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu