
Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Avokatët mbrojtës kishin kërkuar heqje të arrestit në burg dhe lehtësim të masës, duke argumentuar se ai nuk paraqet rrezik as për arratisje apo prishjen e provave
Dy ditet e fundit, SPAK ka paraqitur prova të reja ndaj kryetarit të bashkisë, ndërsa ky i fundit i ka kundërshtuar me argumentin se bëhet fjalë për përgjim të bisedave telefonike me djalin e tij dhe për intervista në televizione.
Avokati i tij, Maks Haxhia paralajmëroi se çështjen do ta çojnë edhe në Gjykatën e Lartë, ku presin që të pranojë kërkesën e kryebashkiakut për ta liruar nga qelia.
“Nga Gjykata e Lartë presim të ndodhë ndonjë çudi dhe atje, e natyrës që të pranojë kërkesën për zëvendësimin e masës së Erion Veliajt, sepse nuk konkurron asnjë nga kushtet dhe krieteret për të mbajtur në burg një person të tillë”, tha avokati.
I pyetur nëse për këtë masë sigurie të dhënë në Apel ndikuan provat e reja të SPAK, ai tha: “Jo absolutisht, është i njëjti material që ka qenë edhe në shkallën e parë”.