Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, deklaroi se qeveria shqiptare pret që në vitin 2028 të nisë ratifikimi në parlamentet e shteteve anëtare të bllokut të marrëveshjes për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

Duke prezantuar sot në disa komisione parlamentare dy projektligje që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Balla foli për pritshmëritë e qeverisë pas 11 majit.

 

“Vlen të theksoj se pritshmëritë e qeverisë shqiptare janë që brenda vitit 2027, pra brenda Krishtlindjeve të vitit 2027, ne të kemi përmbyllur marrëveshjen për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe gjatë vitit 2028 të fillojë ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian për ta kurorëzuar brenda mandatit tonë të ri qeverisës që buron nga 11 maji me përfundimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian,” tha ai.

 

Balla prezantoi konkretisht projektligjin për Marrëveshjen e Facilitetit për Reforma dhe Rritje ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe ndryshimet në ligjin mbi Agjencinë e Auditimit të Programeve të Asistencës së BE-së në Shqipëri.

 

Sa i takon marrëveshjes së “facilitetit”, Balla tha se është komplementare me instrumentet ekzistuese të para-anëtarësimit, si IPA, dhe synon të përshpejtojë reformat strukturore të vendit.

 

“Faciliteti do të mundësojë një financim prej 922 milionë eurosh, nga të cilat 264 milionë euro në formë granti dhe 658 milionë euro si hua, të cilat do të përdoren për mbështetjen e reformave dhe investimeve strategjike përmes Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF),” deklaroi ai.

 

Ai gjithashtu bëri me dije se Shqipëria ka dorëzuar tashmë kërkesën e parë për disbursimin e 7% të fondeve, në vlerën 64.5 milionë euro, duke hapur rrugën për zbatimin e masave të parashikuara.

 

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, prezantoi edhe projektligjin për ndryshimet në ligjin mbi Agjencinë e Auditimit të Programeve të Asistencës së BE-së në Shqipëri. Sipas Ballës, ky projektligj synon të rrisë transparencën dhe efektivitetin në menaxhimin e fondeve evropiane.

 

“Ndryshimet ligjore synojnë të adresojnë mospërputhjet me rregullat e BE-së dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, veçanërisht në ndarjen e kompetencave mes Drejtorit të Përgjithshëm dhe Këshillit Mbikëqyrës. Sipas Marrëveshjeve Kuadër IPA, Drejtori i Përgjithshëm duhet të ketë autonomi të plotë vendimmarrëse, ndërsa Këshilli Mbikëqyrës duhet të mbetet një organ këshillimor, pa ndërhyrje në menaxhimin e përditshëm të Agjencisë,” theksoi ai.

 

Balla theksoi se ky riorganizim është i domosdoshëm për të garantuar një proces auditimi të pavarur dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ai u bëri thirrje deputetëve ta mbështesin këtë reformë, e cila do të rrisë besueshmërinë e institucioneve shqiptare dhe integritetin e menaxhimit të fondeve të BE-së./AIA.AL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu