
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla e cilësoi një lajm të mirë, siç tha ai, vendimin e djeshëm të Parlamentit Europian për të përcaktuar Shqipërinë si qendrën e zyrës së Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor.
“Një dëshmi e qartë e një roli udhëheqës tanimë të Shqipërisë sonë të përbashkët si një model ndër vendet e tjera sa i përket procesit historik të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Hapja e zyrës së Parlamentit Europian në Tiranë është po ashtu një shtysë për të gjithë aktorët politikë për të bashkërenduar forcat në realizimin e kësaj aspirate historike,” u shpreh Balla në fillim të prezantimit në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Ligjore të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut mbi mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.
Në fjalën e tij, ministri Balla theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për trajtimin e informacionit të klasifikuar, bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, mbrojtjen nga sulmet kibernetike dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Ministri Balla vuri në dukje se kjo marrëveshje është pjesë e angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe ndjek modelin e marrëveshjeve të mëparshme të vendit me NATO-n, Bashkimin Europian dhe partnerë të tjerë strategjikë, si Gjermania, Franca, Italia dhe Greqia.
Ai bëri gjithashtu të ditur se Shqipëria është në proces negociatash për nënshkrimin e marrëveshjeve të ngjashme me vende të tjera, përfshirë Izraelin.
“Dëshiroj të ndaj sot me ju dhe me publikun lajmin se jemi në procesin e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes së sigurisë me Izraelin” deklaroi Balla.
Në përfundim, ministri Balla ftoi deputetët të mbështesin projektligjin, duke theksuar se miratimi i tij do të krijojë një bazë të qëndrueshme për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe do të hapë rrugën për marrëveshje të tjera në të ardhmen./AIA.AL