
Për shumë turistë, Maldivet janë një ëndërr, por një udhëtim atje shpesh kërkon një buxhet të majmë. Megjithatë, ekziston një alternativë më e afërt dhe më ekonomike që ofron po të njëjtën bukuri natyrore: Shqipëria.
Sipas gazetës britanike Express, Shqipëria është cilësuar si “Maldivet e Europës”, falë plazheve të saj të mrekullueshme me rërë të bardhë dhe ujërave të kristalta. Për më tepër, ky destinacion mesdhetar është shumë më i përballueshëm se arkipelagu tropikal, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë.
Një qëndrim në vilat mbi ujë në Maldivet gjatë sezonit të pikut mund të kushtojë mbi 2,000 paund për një javë, ndërsa në Shqipëri, akomodimi në hotele dhe apartamente pranë detit fillon nga vetëm 20 paund nata. Gjithashtu, çmimet për ushqim dhe pije mbeten të ulëta, me një drekë buzë detit që kushton rreth 10 paund për person.
Një tjetër avantazh është edhe kostoja e udhëtimit. Fluturimet drejt Shqipërisë janë tejet të lira, me bileta vajtje-ardhje nga Britania për vetëm 30 paund, falë linjave ajrore si Ryanair dhe Wizz Air.
Përveç plazheve të bukura, Shqipëria ofron një përzierje unike të kulturës, historisë dhe mikpritjes tradicionale. Destinacione si Ksamil, Dhërmiu dhe Riviera Shqiptare po bëhen gjithnjë e më të njohura, duke u shpallur si ndër vendet më të mira dhe më të lira për t’u vizituar në Europë.
Nëse jeni në kërkim të një pushimi të paharrueshëm, pa shpenzuar një pasuri, Shqipëria mund të jetë destinacioni ideal për ju.