
Ndahet nga jeta ish deputeti socialist Andis Harasani. Njoftimin e dha bashkëshortja Suela me të cilën jetonin prej vitesh në SHBA:
Me dhimbje të thellë, ju njoftojmë për humbjen e parakohshme të njeriut tonë të shtrenjtë, babait, bashkëshortit, djalit, vëllait dhe mikut tonë të dashur, Andis Harasani. Andisi ynë luftoi me të gjitha forcat, besimin dhe vendosmërinë që e kanë karakterizuar gjithmonë. Ai luftoi për jetën dhe nuk ndaloi kurrë së ofruari dashuri, mbështetje dhe forcë për të gjithë ne. Me keqardhje të thellë, duhet të pranojmë se nuk ia doli të fitojë betejën kundër kancerit. Ne, Thea dhe Henry, do të jemi përjetësisht mirënjohës për këtë rrugëtim të paharrueshëm jete që ndamë me të.
Ti do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona, si njeriu më i shtrenjtë, me humorin tënd të veçantë, mençurinë dhe guximin për të ecur përpara. Do të na mungosh pafundësisht, dashuria jonë!
Lajmin e ka ndarë në rrjete sociale një mik i tij Agim Muco, i cili shkruan se Andis Harasanin e ka pasur edhe student.
“Para pak minutash u njoftova se u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë, Andis Harasani. Andisin e kam njohur kur e kisha student në Fakultetin Ekonomik. Ishte vërtetë një student inteligjent. Më pas punuam bashkë te Deloitte&Touche Tirana. Ishte një tirons i omël por dhe djal i zoti”, shkruan ai.
Ndërkohë, një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-deputetit ka shprehur edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla
“U prehsh në paqe Andis Harasani!”, shkruan ai.
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka postuar në rrjetin e ti social në Facebook, një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-deputetit socialist, Andis Harasani, i cili ndërroi jetë sot si pasojë e sëmundjes së kancerit.
“Daj në këpute shpirtin! Sapo mora lajmin e trishtë që Andisi ndërroi jetë, e dija që po luftonte me sëmundjen e rëndë por daja apo siç e njohin të gjithë Tironci i omël kishte shumë energji pozitive e ishte optimist”, shkruan Idrizi në Facebook, teksa zbulon dhe telefonatën e fundit që bëri me Andis Harasanin.
Idrizi tha se Harasani ishte shumë optimist dhe se ai besonte se se do e fitonte betejën me kancerin.
“Fola para pak kohësh e ishte optimist i pandreqshëm si ai dinte të ishte se do ia dilte, por jo, në fund ajo që është caktuar parakalon çdo dëshirë…”, shkruan Idrizi.
“Bashke me Andisin na shkeputet dhe nje pjese e rrugetimit qe kemi bere bashke ne shkolle ne administrate ne politike.
Te gjithe nje dite do te shkeputemi nga kjo bote, dhe njesia matese eshte me boshllekun qe lejme, e ti le boshllek te madh tek une Daj…
Te Zotit jemi tek Ai kthehemi, qofte rrugetim i lehte ne kete muaj te Ramazanit vllai im.”