
Në Frankfurt, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, u takua me biznesmenin shqiptar Fatmir Dulaj, i cili prej 34 vitesh jeton në Gjermani dhe sot është pronar i birrarisë më të vjetër në qytet, “12 Apostuj”.
“Erdhe në Frankfurt para 32 vitesh. Cila ishte puna jote e parë?” – pyeti Balla.
“Në kuzhinë” – u përgjigj Dulaj, i cili sot ka në pronësi një nga lokalet më të njohura të Frankfurtit.
Biseda vijoi me historinë e suksesit të Dulajt, i cili nisi si pjatalarës, më pas kuzhinier, dhe sot zotëron një ndër destinacionet më të vizituara të qytetit. Ai tregoi se birraria e prodhon vetë birrën, duke theksuar se është lokali i vetëm në Frankfurt që e realizon këtë proces brenda ambienteve të tij.
Një lajm i rëndësishëm për Shqipërinë është se birra e prodhuar në këtë birrari së shpejti do të vijë në Shkodër dhe Velipojë. “Po, po, fabrika gati është. Do hapet edhe pak,” – tha Dulaj, duke konfirmuar investimin e tij të ardhshëm në Velipojë, që do të jetë një birrari edhe më e madhe dhe më moderne.
Në lokalin e tij në Frankfurt punojnë 20 persona, nga të cilët 9 janë shqiptarë. Balla vuri në dukje një detaj të veçantë: “Dy djemtë e tu, djemtë e një bosi, mësojnë punën.”
Në fund të bisedës, një punonjëse shqiptare e birrarisë, Esmeralda, tha se ka dy vite në Gjermani, por me dëshirë do të punonte në restorantin e ri që Dulaj do të hapë në Velipojë. “Lërja përsipër ta menaxhojë Esmeralda restorantin që do hapësh në Velipojë, ke për të pasur sukses 100%,” – sugjeroi Balla me humor.
Ky takim në Frankfurt dëshmon edhe njëherë suksesin e shqiptarëve në diasporë dhe përpjekjet e tyre për të sjellë përvojën e fituar jashtë në vendlindje.