
Kryeministri Edi Rama në inaugurimin e Spitalit të Pediatrisë së Përgjithshme në QSUNT tha se me këtë investim ju jepet një mundësi e mirë mjekëve dhe infermierëve. Kreu i qeverisë tha se është materializuar edhe projekti i partneritetit të menaxhimit të spitaleve.
Rama gjatë fjalës së tij shprehet se ky vit është viti me buxhetin më të lartë në shëndetësi, një buxhet që do të sjellë rritje në kapacitetet në të gjithë rrjetet e shërbimit shëndetësor të Republikës.
Rama: Më vjen shumë mirë po ashtu që mjekëve dhe infermierëve ju japim mundësinë e një tjetër strukture ndërkohë që së shpejti me financimet e këtij viti do të realizojmë transformimin e strukturës së tretë të Pediatrisë Infektive. Është viti me buxhetin më të lartë për shëndetësinë, 1 miliardë Euro, një buxhet i paimagjinueshëm më parë që do ta realizojmë me cilësi dhe duke rritur kapacitetet në të gjithë rrjetet e shërbimit shëndetësor të Republikës, por duke ndaluar këtu më vjen shumë mirë që ne ndërkohë jemi thuajse në përfundim të punës për të futur dhe një shërbim tjetër, një shërbim të ri falë një bashkëpunimi me një organizatë të njohur në fushën e mbështetjes së fëmijëve me miq izraelitë që do të sjellin këtë shërbim që është shkolla pranë pediatrisë që do t’ju japin mundësi fëmijëve të pediatrisë që të marrin mësim dhe të mos ngelin mbrapa me një program që i përshtatet gjendjes së tyre jooptimale shëndetësore. Më vjen mirë që kemi materializuar edhe projektin e partneritetit të menaxhimt të spitaleve. Kanë ardhur menaxhërët nga Turqia në spitalin Memorial të Fierit dhe më pas do shpërndahen në spitale të tjera përshirë edhe QSUT që do të na japë një ndihëm të madhe në atë që është pika më e dobët sot në sistemin shëndetësor që është menaxhimi profesional. Këtu flasim për menaxhimin profesional të një sistemi të ri që bazohet tek autonomia spitalore.
Në inaugurimin e Spitalit të Pediatrisë së Përgjithshme në QSUNT, Kryeministri Rama iu ka premtuar mjekëve dhe infermierëve një rritje tjetër pagash. Rama thotë se pavarësisht se janë rritur pagat për bluzat e bardha, është i bindur se mirëpresin një rritje tjetër dhe këtë e kanë parasysh edhe pa jua thënë.
Pavarësisht premtimit, Kryeministri Rama nuk ka preferuar të japë një datë se kur mund të ndodhë rritja e pagave për mjekët dhe infermierët.
Edi Rama: Pavarësisht se i kemi rritur pagat nuk kemi mendimin që jeni shumë të kënaqur dhe jam i bindur se do e mirëprisnit një rritje tjetër. Këtë e kemi parasysh edhe pa na e thënë. E kuptojmë që ka edhe më mirë dhe patjetër që me autonominë spitalore dhe me kontributin e pashmangshëm të qeverisë, më herët se vonë përsëri do të bëjmë një rritje pagash për mjekët dhe infermierët./klan