
Policia ka kryer shoqërimin e Safet Bajrit.
Dy ditë më parë forcat RENEA kryen kontrolle në banesën e Safet Bajrit.
Ai dyshohej se ishte në skenën e krimit të masakrës së Dobraçit dhe deri më sot nuk ishte shoqëruar nga policia. Më herët këtë javë, Bajri u paraqit ne emisionin prime time të televizionit kombëtar Top Channel ku
ka mohuar çdo përfshirje në krime dhe ka hedhur poshtë akuzat për një konflikt me fisin e Licajve.
Bajri tha se po i hidhet baltë dhe se gjithçka rreth tij është e verifikueshme. Ai u shpreh se pasuria e tij është e kontrolluar dhe se nëse do të kishte pasuri të dyshimtë, atëherë SPAK do ta kishte hetuar. “Nënën time 70 vjeçare e bënë grup kriminal, a jeni në vete ju?”, u shpreh Bajri gjatë intervistës.
Grida Duma e pyeti se sa njerëz rreth tij ishin vrarë, dhe Bajri u përgjigj se vetëm xhaja i tij ishte vrarë dhe se djali i xhajës ishte plagosur. “Licajt nuk i kam njohur kurrë në jetë”, tha ai, duke shtuar se pas ngjarjeve të dhunshme në Shkodër, ai kishte marrë masa për sigurinë e tij.
Bajri gjithashtu mohoi përfshirjen në masakrën e Dobraçit dhe shprehu se nuk kishte asnjë interes në politikë, duke theksuar se ishte i gatshëm të bashkëpunonte me policinë për çdo hetim.
Në fund, ai sqaroi se nuk kishte asnjë qëllim të largohej nga Shqipëria dhe se nuk kishte asnjë arsye për të ikur.