Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, takoi sot Raportuesin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder.
Me raportuesin dhe mikun e tij të vjetër, ministri Balla bisedoi mbi procesin e integrimit europian dhe sfidat që e presin vendin tonë drejt “Shqipëria 2030”.
“Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së, me hapjen e dy grupkapitujve dhe angazhimin e palëkundur për reformat e nevojshme. Objektivi ynë ambicioz është të avancojmë më tej deri në fund të vitit 2025, duke hapur grupkapitujt e mbetur dhe duke përmbushur kriteret e përcaktuara,” u shpreh ministri Balla në takim.
Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, ndodhet në Tiranë në vizitën e tij të parë. Eurodeputeti austriak nga Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian u caktua në këtë detyrë pak muaj më parë dhe është i ngarkuar me hartimin e raporteve vjetore të vlerësimit të zhvillimeve në Shqipëri, duke monitoruar reformat që kanë lidhje me integrimin e vendit tonë në BE. Ai është një ndër mbështetësit më të mëdhenj të integrimit të Shqipërisë dhe e ka shprehur hapur qëndrimin e tij se politika e zgjerimit duhet të jetë në krye të agjendës së Komisionit për pesë vitet e ardhshme.