Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, bëri një ndalesë gjatë turneut të tij në diasporën shqiptare në SHBA, edhe në Kishën Katolike të Shën Palit, qendra më e madhe katolike e shqiptarëve të Amerikës.
Njohur ndryshe edhe si Katedralja e Shqiptarëve në Amerikë, ky objekt kulti është simbol bashkimi, pasi mbledh jo vetëm mijëra familje besimtare shqiptare për ritet fetare, por atje zhvillohen edhe aktivitete kombëtare. Në korrik 2008 u zhvillua në këtë kishë edhe Festivali i Parë Folklorik i Diasporës Shqiptare në SHBA, aktiviteti kulturor më i veçantë për mërgatën shqiptare në shtetin e Miçiganit.
Kjo kishë, që ka pritur e përcjellë presidentë e kryeministra shqiptarë, u ndërtua më 2002 me kontributet vullnetare të komunitetit shqiptar, dhe në mjediset e saj pasqyrohet Shqipëria përmes pikturave me kostume popullore të të gjitha trojeve si dhe një tablo gjigande të figurave më të mëdha të krishtera të kombit, Skënderbeu, Nënë Tereza dhe At Gjergj Fishta.