Nga Forumi i Davosit në Zvicër, kryeministri Edi Rama vlerësoi bumin e turizmit shqiptar dy-tre vitet e fundit që reflektohet dhe me mbipopullimin udhëtarëve në aeroportin e Rinasit.

Rama ishte pjesë e një paneli sot në Davos që kishte në fokus ‘Mënyrën se si do udhëtojmë’. Rama u shpreh në sesion se aeroporti i Rinasit ka kaluar dhe atë të Beogradit, që ka qenë aeroporti më i fuqishëm në rajon.

yacht hotel sarande

‘Duke krijuar mjete për të transformuar atë çka është e mbrojtur duke angazhuar shumë arkitektë ndërkombëtarë për projekte me cilësi të ndryshme nga ato në rajon. Ne në Shqipëri kemi aeroportin me rritjen më të shpejtë në Europë dy vitet e fundit. Kemi kaluar dhe Beogradin që ka qenë aeroporti më i fuqishëm në rajon. Një herë e një kohë kemi qenë Koreja e Veriut në Europë.’

Më tej, Rama bëri edhe batuta me drejtuesin e panelit Richard Quest nga CNN. Ky i fundit duke dëgjuar Ramën të përmendte Shqipërinë dikur si Koreja e Veriut të Europës, tha se ka qenë në atë kohë në Shqipëri. Rama i tha se ose ka qenë armik, ose pjesë e grupeve marksiste-leniniste.

Quest: Kam qenë në atë kohë.

Rama: Ke qenë në ndonjë lidhje armiqësore me Shqipërinë, apo do kishe ndonjë lidhje marksiste leniniste. Kishim një aeroport të shkretuar. Për të ardhur në Shqipëri duhej të ishe marksist leninist. Kishim vetëm 5 mijë udhëtarë në vit, vitin e kaluar kishim 10 milionë. Po hapim një aeroport të ri në Vlorë.

Sakaq, Rama vlerësoi edhe Arabinë Saudite që po investon në dije dhe arsimim cilësor, shembull të cilin po ndjek edhe Shqipëria.

‘Do doja të shtoja diçka. Kemi avantazhe që jemi pak pas ndërkohë për tu rritur krahasuar me të tjerët. Arabia Saudite dhe vendet e gjirit janë një vend i jashtëzakonshëm që mund të mësosh. Ndërkohë që mëson mënyrën si i bën gjërat. Përtej miteve dhe stereotipeve ato po investojnë në mënyrë të jashtëzakonshme në dije, në arsimim dhe aftësi në nivelin më të lartë. Po angazhojmë arkitektë nga mbarë bota dhe po u japim jetë produkteve arkitekturore që nuk i gjen në rajonin tonë. Europa është e bekuar, shih Greqinë, Italinë, Francën, e bekuar nga një e kaluar e lavdishme. Europa duhet të shkurtojë burokracinë.’

Kryeministri theksoi edhe rolin që duhet të ketë teknologjia në procese të tilla, edhe si turizmi, pasi mund të shkurtohen radhët e pritjes.

Quest: A mos ndoshta ka një ndërmendje, të përdoret ekonomia si armë për turizmin e pakontrolluar?

Rama: Parku në Barcelonë, i jashtëzakonshëm i mbytur nga njerëz. Me teknologji dhe me rezervime nuk humbet kohën në radha dhe menaxhohen numri i njerëzve që hyjnë.

Rama përmendi edhe disa investime të rëndësishme që pritet të marrin jetë në Shqipëri, nga zonat malore e tek projekti i Jared Kushner në Sazan apo porti i ri i Durrësit.

‘Turizmi për ne është diçka e re, një industri që po e ndërtojmë, po shohim zhvillim në të gjitha aspektet. Nga çelja e maleve tona për turistët që duan të ngjiten. Edhe me propozime si ai i Jared Kushner dhe familjes, deri për të ndërtuar një nga kompanitë më të mëdha të Lindjes së Mesme në portin e ri. Turizmi është kali ynë i betejës.’

Në fund pati dhe një batutë me renditjen e Shqipërisë në vendet kryesore për zhvillimin e turizmit.

‘Në të gjithë renditej e botuar jo nga ne, vendet kryesore në turizëm janë Arabia Saudite, Shqipëria dhe Katari. Por ne nuk patëm Kupën e Botës.’/shqiptarja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu