Në selinë e FIFA-s në Zyrih të Zvicrës u hodh këtë të premte shorti për kualifikueset e zonës evropiane për Botërorin 2026.
Kombëtarja shqiptare e futbollit do jetë pjesë e Grupit K kualifikues në Kupën e Botës 2026, duke “peshkuar” Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën si kundërshtarë. Kosova në Grupin B me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë. Botërori 2026 për herë të parë në histori do jetë me 48 skuadra dhe do zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori deri më 19 korrik.
Kundërshtarët e Shqipërisë
Kuqezinjtë e Sylvinhos kanë “peshkuar” rivalë të fortë si Anglia, Serbia, Letonia dhe Andorra. Kundër Anglisë ekipi ynë është përballur gjashtë herë, duke pësuar po kaq humbje.
Kundër Serbisë dueli do jetë më shumë se një ndeshje futbolli, me skuadrat që do përballen 11 vite pas incidentit të 14 tetorit 2014, kur ekipi ynë u dhunua në Beograd dhe më pas fitoi tri pikët në CAS, gjë që na dha një dorë për t’u kualifikuar për herë të parë në një Europian, ai i ‘Francë 2016’. Kujtojmë këtu edhe tensionet mes shqiptarëve të Kosovës dhe shtetit serb, që e bëjnë këtë duel më shumë se një ndeshje në fushë. Kundër Serbisë, kombëtarja shqiptare ka luajtur në dy raste. Fitorja 0-3 në tavolinë në 14 tetorin e 2014 dhe humbja 0-2 në datën 8 tetor 2015 në “Elbasan Arena”
Shqipëria asnjëherë nuk ka fituar përballë Letonisë. Janë pesë ndeshje në total, të gjitha të përfunduara në barazim nga viti 1992 dhe deri në vitin 1999. Gjashtë gola të shënuar dhe po aq të pësuar. Dy takime janë mbyllur në barazim pa gola.
Në anën tjetër statistikat i buzëqeshin Shqipërisë përballë Andorrës. Kjo pasi janë fituar pesë nga shtatë takime. Vetëm një miqësore e vitit 2002 është humbur, teksa një përballje është mbyllur barazim. Me Andorrën takimet regjistrohen nga viti 2000 deri në vitin 2021.
Ndërkohë Letonia dhe Andorra janë dy rivalë që gjenden poshtë nesh në renditjen e UEFA-s dhe do jetë detyrim për ekipin që të marrë maksimumin.
Rivalët e Kosovës
Kosova do jetë pjesë e Grupit B dhe ka përballë Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë. “Dardanët” gjejnë sërish Granit Xhakën dhe shqiptarët e tjerë të Zvicrës, me grupin që është shumë i vështirë për Kosovën.
Kualifikueset europiane për Kupën e Botës 2026 janë planifikuar të fillojnë në mars 2025 dhe të përfundojnë së bashku me fazën “play-off” në mars 2026. Ndërkohë vlen të theksohet se edhe duelet play-off në Ligën e Kombeve të marsit 2025 janë të rëndësishme për të përcaktuar ekipet që garojnë dhe grupet përkatëse.
Çiftet Gjermani – Itali, Portugali – Danimarkë, Spanjë – Holandë dhe Francë – Kroaci ende janë në garë për pozicionet në grupe, ku në bazë të paraqitjeve në Ligën e Kombeve do kenë edhe grupet përkatëse.
Rezultatet e shortit:
Grupi A: Fituesi i Gjermani-Itali, Sllovaki, Irlanda e Veriut, Luksemburg
Grupi B: Zvicra, Suedia, Sllovenia, Kosova
Grupi C: Humbësi i Portugali-Danimarkë, Greqia, Skoci, Bjellorusi
Grupi D: Fituesi i Francë – Kroaci, Ukrainë, Islanda, Azerbajxhan
Grupi E: Fituesi i Spanjë – Holandë, Turqia, Gjeorgji, Bullgaria
Grupi F: Fituesi i Portugali – Danimarkë, Hungari, Irlandë, Armeni
Grupi G: Humbësi i Spanjë – Holandë, Polonia, Finlanda, Lituania, Malta
Grupi H: Austria, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, Qipro, San Marino
Grupi I: Humbësi i Gjermani – Itali, Norvegjia, Izraeli, Estonia, Moldavia
Grupi J: Belgjika, Uellsi, Maqedonia e Veriut, Kazakistani, Lihtenshtajn
Grupi K: Anglia, Serbia, Shqipëria, Letonia, Andorra
Grupi L: Humbësi i Francë – Kroaci, Çekia, Mali i Zi, Ishujt Faroe, Gjibraltar
shqiptarja.com