Do të kthehen në Itali edhe grupi i dytë i emigrantëve të cilët anija e marinës italiane “Libra’ zbarkoi 3 ditë më parë në Shëngjin. Gjykata e Romës, seksioni i imigracionit, vendosi sot (11 nentor) të pezullojë vendimin për ndalimin e 7 emigrantëve që ndodhen në kampin e Gjadrit dhe çështjen tia kalojë Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

Tashmë është cështje orësh kur 7 emigrantët, shtetas egjiptianë dhe bangladeshas do të kthehen në Itali ku do të lirohen deri në pritje të vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

yacht hotel sarande

Si në rastin e mëparshëm të gjykatës së Katanias, edhe gjyqtarët e Romës i janë drejtuar Gjykatës Evropiane të Drejtësisë duke kërkuar që të vendosë: Nëse prevalon ligji i qeverisë Meloni për të ashtuquajturat vende të sigurta, (që lejon një procedurë automatike dëbimi) apo vendimi i gjyqtarëve evropianë, sipas të cilit kërkesa e çdo migranti duhet të vlerësohet rast pas rasti.

Vendimi i sotëm thotë se ka një “pajtueshmëri të dyshimtë” midis ligjit italian dhe atij të BE-së.

Për të sqaruar vendimin, i destinuar për të rindezur më tej konfliktin mes mazhorancës dhe gjyqësorit, gjykata e Romës lëshoi ​​një shënim: “Duhet theksuar se kriteret për përcaktimin e një shteti si vend i sigurt i origjinës janë vendosur nga ligji i Bashkimit Evropian. Prandaj, duke respektuar prerogativat e ligjvënësit kombëtar, gjyqtari ka detyrën të verifikojë gjithmonë dhe konkretisht zbatimin e drejtë të ligjit të BE-së, i cili, siç dihet, mbizotëron mbi ligjin kombëtar kur është i papajtueshëm me të, siç parashikohet edhe nga Kushtetuta italiane.”

“Duhet të jetë e qartë – sqaron më tej deklarata – se përcaktimi i një vendi të origjinës si të sigurtë ka rëndësi vetëm për përcaktimin e procedurave që do të zbatohen; përjashtimi i një shteti nga lista e vendeve të sigurta të origjinës nuk pengon kthimin dhe/ose dëbimin e një migranti, kërkesa për azil e të cilit është refuzuar ose që nuk plotëson kërkesat ligjore për të qëndruar në Itali” shkruan Corriere.

Pas këtij vendimi është çështje orësh që emigrantët të kthehen në Itali dhe të lihen të lirë deri në një vendim të gjykatës Evropiane të Drejtësisë ndërsa qendrat e pritjes në Shqipëri, të ngritura nga qeveria italiane e Melonit në bazë të një protokolli midis Romës dhe Tiranës, do të boshatisen sërish.

Disa javë më parë, dymbëdhjetë migrantë u dërguan fillimisht në Shqipëri dhe më pas u kthyen në Itali për shkak të vendimeve të ndryshme mes qeverisë dhe gjykatave.

Kthimi i shtatë migrantëve në Itali do të realizohet në orët e ardhshme me një anije të Marinës Ushtarake që do të ankorohet në Brindisi.

Për zëvendëskryeministrin dhe udhëheqës i partisë anti-emigracion ‘Lega’ Mateo Salvinin ky është “një tjetër dënim politik kundër italianëve”, ndërsa për zv/kryeministrin tjetër, Antonio Tajani “disa italianë duan tia imponojnë linjën e tyre qeverisë”.

Sipas marrëveshjes Rama-Meloni, në kampin e Gjadrit në Shqipëri, do të duhet të mbahen, vetëm migrantë nga vende të konsideruara të sigurta, sipas një liste prej 22 shtetesh, të hartuar nga ministria e jashtme italiane. Për të forcuar pozitat përballë gjykatave, qeveria italiane u përgjigj duke miratuar menjëherë, pak ditë më pas, një ligj të posaçëm, i cili parashikonte listën e vendeve të sigurta, e reduktuar tanimë në 19 shtete.

Por kjo është hera e dytë që gjyqtarët italianë bllokojnë dërgimin e emigrantëve në Shqipëri.

Më 8 nëntor, një grup migrantësh prej 8 personash nga Egjipti dhe Bangladeshi, erdhën në Shqipëri pasi u kapën në det javën e kaluar. Ndërkohë në kampin e Gjadrit u transferuan 7 persona pasi njëri u transferua në Itali, për arsye shëndetësore./Shqiptarja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu