Kryeministri Edi Rama nuk ka pranuar të tregojë se kush ia dhuroi biletat e kripura të ndeshjes së NBA që ndoqi në rreshtat e parë gjatë vizitës në Nju Jork.
“Ajo biletë as nuk blihet dhe as nuk shitet. Shko kërkoje dhe as nuk e blen dot. Ato janë bileta të rezervuara. Ajo biletë ka qenë e rezervuar nga miq të mi. Nuk ka rëndësi kush ka qenë. Nuk do vijë të më korruptojë mua me një biletë. Lërini këto. Është një mik që nuk ka lidhje me Shqipërinë. Nuk jam i detyruar ta them.
Është një dhuratë që nuk jam i detyruar ta deklaroj. Përsa u përket dhuratave, unë jam i pari kryeministër që çdo dhuratë dhe që në raste të caktuara kanë një vlerë shumë të madhe dhe unë çdo dhuratë e kam regjistruar në një muze në kryeministri.
Vetëm me ora të dhuruara kanë një vlerë shumë të madhe. Pyes nëse kryeministrat e tjerë a kanë marrë dhurata? Ku kanë shkuar. Kanë marrë piktura të Galerisë Kombëtare në shtëpi. Kanë marrë karrige në shtëpi. Është një histori turkoshakësh” – tha Rama që u justifikua edhe për udhëtimet me avion çarter.
“Mua për dhurata dhe luks… Çarteri? Unë fluturoj me dy mënyra. Kur kam detyra si kryeministër fluturoj me avionin e posaçëm. Kur fluturoj me familjen unë marr bileta të Air Albania, Wizz Air. Të gjithë kryeministrat e rajonit kanë avion. Pse unë jam çmendur të marr një avion me qera 20 mijë euro ora siç thonë disa palaço, sharlatanë nëpër studio.
Mua çdo euro që është e buxhetit për mua është e paprekshme. Për avionin kemi bërë një marrëveshje. Ka një shumë vjetore të udhëtimit të kryeministrit dhe ne ia kemi dhënë palës tjetër këtë ofertë nëse e pranojnë. Ne bëjmë të njëjtin shpenzim mesatar si kryeministrat e kaluar.
Unë ndodh që udhëtoj me ekonomik përveç rrugës për në SHBA për arsye shëndetësore. Rrugën në SHBA e kam paguar vetë pasi kishim takimin me shqiptarët dhe një ekspozitë dhe nuk i mora as nga buxheti i PS. Vetëm mua të mos më akuzojnë për luks. Palaçot përmendin dhe saraje për shtëpinë time” – tha Rama. ©LAPSI.al