Të shtunën pas mesnatës, ish-kryetari i Listës Serbe dhe tashmë deputet në Parlamentin e Serbisë, Goran Rakiq, është sulmuar brutalisht nga disa persona të paidentifikuar para hyrjes së banesës së tij në veri të Mitrovicës.
Dyshohet se sulmuesit janë pjesëtarë të “Civilna Zastita-s” dhe se kanë qenë duke e pritur Rakiqin jashtë banesës së tij.
KP mëson se pas sulmit, deputeti Igor Simiq ka ndërhyrë dhe e ka dërguar Rakiqin në spital, duke qëndruar pranë tij pothuajse gjatë gjithë kohës që ish-kryetari i “Listës serbe” ishte në kujdes mjekësor.
Ndërkohë, raportohet se dy hetues policorë e kanë vizituar Rakiqin në banesën e tij dhe i kanë kërkuar të kthehet në spital për të bashkëpunuar në hetimet lidhur me rastin, kërkesa të cilat ai i ka refuzuar.
Telegrafi ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës në veri, Veton Elshani dhe i njëjti ka bërë të ditur se nuk mund të konfirmoj një gjë të tillë.
“Nuk mund të konfirmoj një gjë të tillë, së paku ne nuk kemi ankesa”, ka thënë Elshani.
Telegrafi gjithashtu ka provuar të kontaktoi edhe me vetë Rakiqin, po i njëjti nuk është përgjigjur.
Hetimet për rastin janë ende në vazhdim./ Telegraf