Irani sulmoi Izraelin me raketa balistike më 1 tetor, në përgjigje të fushatës së Izraelit kundër Hezbollahut të Libanit, duke shënuar një përshkallëzim të ri të konfliktit midis Izraelit dhe grupit militant të mbështetur nga Irani.

Zëdhënësi ushtarak i Izraelit, Daniel Hagari, tha se ushtria nuk ishte në dijeni për ndonjë lëndim dhe, rreth një orë pas fillimit të sulmit, tha se tani izraelitët mund të dilnin nga strehimoret. Ai e përshkroi sulmin si serioz dhe tha se do të kishte pasoja.

yacht hotel sarande

Një palestinez u vra nga pjesët që ranë nga një raketë e interceptuar, sipas kryetarit të qytetit të Jerikos në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli, dhe policia izraelite raportoi se të paktën gjashtë njerëz u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën në një sulm me armë dhe thika
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara ishin të gatshme ta ndihmonin Izraelin të mbrohej, ndërsa këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, e quajti këtë zhvillim një përshkallëzim domethënës nga Irani.

“Është e rëndësishme që ne arritëm të bashkëpunojmë me Izraelin dhe të krijojmë një situatë në të cilën askush nuk u vra në këtë sulm në Izrael”, u tha Sullivan gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne e kemi bërë të qartë se do të ketë pasoja, pasoja të rënda, për këtë sulm, dhe ne do të punojmë me Izraelin për ta bërë këtë”, shtoi ai.

Zyrtarë nga Departamenti amerikan i Shtetit [DASH] dhe Pentagoni bënë të ditur se SHBA-ja kishte ndihmuar Izraelin në ndaljen e raketave të Iranit.

“Izraeli ka të drejtë ta mbrojë veten, por ne do të koordinohemi me ta për atë se si do të duket ndonjë përgjigje [ndaj sulmit]”, tha zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller.

Korpi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha se sulmi me raketa kishte si shënjestër tri baza ushtarake rreth Tel Avivit.

Ai gjithashtu paralajmëroi se nëse Izraeli do të reagonte, përgjigja e Teheranit do të ishte “më shkatërruese dhe rrënuese”. Grupi palestinez Hamas, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, e quajti sulmin “heroik.”
Irani kishte premtuar se do të hakmerrej për sulmet ajrore izraelite të javëve të fundit që vranë udhëheqësinë e lartë të Hezbollahut në Liban, grupit militant që është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e armatosur të Hezbollahut, por jo partinë e tij politike, e cila ka vende në parlamentin libanez. Ndërsa, grupi palestinez, Hamas, është shpallur organizatë terroriste edhe nga SHBA-ja, edhe nga BE-ja.

Irani nisi një sulm të drejtpërdrejtë të paprecedentë ndaj Izraelit edhe në prill të këtij viti, por pak nga raketat arritën objektivat e tyre. Shumica u rrëzuan nga një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja, ndërsa të tjerat dështuan gjatë lëshimit ose u rrëzuan gjatë fluturimit.

Më herët më 1 tetor, ushtria izraelite tha se kishte nisur sulme “të shënjestruara dhe precize” brenda Libanit në atë që e quajti një “inkursion të kufizuar” tokësor që filloi gjatë natës.

Izraeli shtoi se trupat e saj ishin përfshirë në “luftime të ashpra” me Hezbollahun, në një hap që erdhi pavarësisht kundërshtimeve të SHBA-së, mes frikës për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Hezbollahu tha se kishte reaguar ndaj ofensivës izraelite duke lëshuar një breshëri raketash drejt Izraelit, përfshirë një drejt agjencisë së tij të inteligjencës afër Tel Avivit.

Gjatë ditës, ushtria izraelite bëri të ditur se po mobilizonte edhe katër brigada shtesë për t’u vendosur në misione përgjatë kufirit verior, por pa dhënë më shumë detaje.

“Kjo do ta mundësojë vazhdimin e aktivitetit operacional kundër organizatës terroriste Hezbollah dhe arritjen e objektivave operacionale, përfshirë kthimin e sigurt të banorëve të Izraelit verior në shtëpitë e tyre”, tha ushtria izraelite në një deklaratë.

Më 25 shtator, ushtria kishte mobilizuar dy brigada rezervë për t’u dërguar në veri.

Një brigadë këmbësorie izraelite zakonisht përbëhet nga 1.000 deri në 2.000 ushtarë, ndërsa një brigadë tankesh të blinduara ka rreth 100 tanke.

Izraeli ka premtuar të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Hezbollahut dhe ka shpallur zonë ushtarake në disa pjesë të kufirit të tij verior me Libanin, pavarësisht thirrjeve nga mbarë bota për të ulur tensionet.

Automjetet e ushtrisë izraelite, të dislokuara në një pozicion përgjatë kufirit me Libanin në veriperëndim të Izraelit më 1 tetor 2024.
“Në përputhje me vendimin e udhëheqjes politike, disa orë më parë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit nisën bastisje të kufizuara, lokalizuara dhe shënjestruara tokësore bazuar në informacionet precize kundër caqeve terroriste të Hezbollahut dhe infrastrukturës në jug të Libanit”, tha ushtria izraelite në një deklaratë të publikuar në orët e vona të 30 shtatorit.

“Këto caqe gjenden në fshatrat afër kufirit dhe paraqesin kërcënim për komunitetet izraelite në veri të Izraelit”.

Javëve të fundit, Izraeli ka kryer sulme intensive ajrore ndaj Hezbollahut, përshirë sulme me raketa që kanë vrarë udhëheqësin e kamotshëm të grupit, Hassan Nasrallah, por edhe kanë marrë jetën e shumë udhëheqësve të Hezbollahut dhe anëtarëve të tjerë të grupeve të sanksionuara militante.
Zyrtarë të lartë të Hezbollahut kanë thënë ditëve të fundit se luftëtarët e grupit janë “gati nëse Izraeli vendos të hyjë përmes tokës”.

Nisja e operacionit tokësor erdhi disa orë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, u pyet nëse pajtohej nëse Izraeli do të ndërmerrte një veprim të tillë në Liban, tha: “Jam i qetë nëse ata ndalojnë. Na duhet një armëpushim tani”.

Pas rritjes së tensioneve Shtëpia e Bardhë tha se Uashingtoni beson se mënyra e vetme që të ketë një armëpushim mes Izraelit dhe Libanit është përmes një zgjidhjeje diplomatike.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, duke folur në Bejrut më 30 shtator, po ashtu i bëri thirrje Izraelit që të “përmbahet nga çdo inkursion tokësor” dhe të arrijë një marrëveshje armëpushimi. Ai po ashtu i bëri thirrje Hezbollahut që “të bëjë të njëjtën gjë dhe të përmbahet nga çdo veprim që me gjasë do të çojë në paqëndrueshmëri rajonale”.

Në orët e vona të 30 shtatorit, sulmet ajrore izraelite goditën periferitë në jug të Bejrutit, duke shkaktuar shpërthime të mëdha, pasi ushtria izraelite paralajmëroi civilët që të largoheshin nga tri ndërtesa specifike që tha se do të shënjestronte. Këto ndërtesa gjendeshin në lagje me popullsi të dendur.
Nasrallah u vra javën e kaluar gjatë një sulmi ajror izraelit në qendrën komanduese jugore të Hezbollahut.

Humbjet e përjetuara nga Hezbollahut duket se janë më të mëdhatë që kur Garda Revolucionare Islamike e Libanit ndihmoi në krijimin e këtij grupi militant më 1982, me qëllim që të luftohej një pushtim izraelit i Libanit.

Nasrallah i ishte bashkuar Hezbollahut për të luftuar në atë konflikt dhe më 1992 ishte bërë udhëheqës i tij, duke e bërë grupin forcën më të fuqishme ushtarake dhe politike të Libanit./REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu