Mijëra banorë u evakuuan në një zonë në veri të Parisit pasi autoritetet ndërmorën një operacion për neutralizimin e një bombe të mbetur nga Lufta e Dytë Botërore.

Bomba u zbulua më 10 prill gjatë punimeve ndërtimore në zonën Colombes dhe që prej asaj kohe vendi ishte izoluar për arsye sigurie.

Fillimisht, ekspertët tentuan të çaktivizonin detonatorin, por pasi kjo përpjekje dështoi, u vendos që mjeti shpërthyes të asgjësohej në vend përmes një shpërthimi të kontrolluar.

Operacioni u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, ku rreth 800 efektivë policie u angazhuan për të zbatuar evakuimin në një perimetër prej qindra metrash. Banorët u detyruan të linin shtëpitë e tyre që në orët e para të mëngjesit dhe u lejuan të ktheheshin vetëm pas përfundimit të operacionit.

Autoritetet franceze konfirmuan se ndërhyrja përfundoi me sukses dhe nuk pati të lënduar.

Raste të tilla nuk janë të rralla në Europë, pasi bomba të pashpërthyera nga Lufta e Dytë Botërore zbulohen shpesh gjatë punimeve ndërtimore, duke paraqitur rrezik të madh për zonat e banuara.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu