
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se marrëveshja për bashkëpunimin bërthamor civil mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite do të hyjë në fuqi vetëm nëse Riadi njeh zyrtarisht shtetin e Izraelit dhe i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump theksoi se programi bërthamor do të jetë ekskluzivisht për përdorim civil dhe nuk do t’i lejohet Arabisë Saudite pasurimi i uraniumit.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se njohja e Izraelit është kusht i panegociueshëm për finalizimin e marrëveshjes. Zëdhënësja Karoline Leavitt tha se presidenti amerikan ua ka bërë të qartë këtë kërkesë drejtuesve sauditë edhe në takimet e mëparshme.
Nga ana tjetër, Arabia Saudite ka përsëritur vazhdimisht se nuk do ta njohë Izraelin pa krijimin e një shteti palestinez. Deri tani, autoritetet saudite nuk kanë reaguar ndaj deklaratave të Trump.
Izraeli e mirëpriti qëndrimin e presidentit amerikan. Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu e cilësoi anëtarësimin e Arabisë Saudite në Marrëveshjet e Abrahamit si një hap historik për paqen në Lindjen e Mesme.
Marrëveshja bërthamore ka ngjallur debat mes ekspertëve të sigurisë, të cilët paralajmërojnë se zhvillimi i programeve bërthamore në rajon mund të rrisë rrezikun e përhapjes së armëve bërthamore, veçanërisht në sfondin e tensioneve të vazhdueshme me Iranin.






