
WASHINGTON – Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të kryejnë sulme të reja ndaj Iranit, duke sinjalizuar një tjetër përshkallëzim të konfliktit mes dy vendeve.
“Ne i goditëm fort dje dhe do t’i godasim fort sërish edhe sot”, deklaroi Trump nga Zyra Ovale, duke përsëritur gjithashtu thirrjen që Irani të pranojë një marrëveshje për t’i dhënë fund krizës.
Reagimi i presidentit amerikan erdhi pasi SHBA dhe Irani shkëmbyen sulme gjatë natës. Uashingtoni ndërmori operacione ushtarake pasi Trump akuzoi Iranin për rrëzimin e një helikopteri ushtarak amerikan në Ngushticën e Hormuzit.
Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se vendi i tij nuk do t’i nënshtrohet presioneve. “Irani do të qëndrojë i vendosur përballë çdo kërcënimi apo presioni”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Sipas ushtrisë amerikane, sulmet e së martës kishin në shënjestër sisteme mbrojtëse, radarë dhe qendra kontrolli pranë Ngushticës së Hormuzit. Teherani pretendon se bombardimet kanë goditur edhe infrastrukturë civile, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë në disa zona.
Garda Revolucionare Iraniane njoftoi se u kundërpërgjigj me sulme ndaj bazave amerikane në rajon. Megjithatë, një zyrtar amerikan deklaroi se pothuajse të gjitha raketat dhe dronët iranianë u neutralizuan pa shkaktuar viktima.
Tensionet janë shtuar edhe në det. Ushtria amerikane njoftoi se goditi një cisternë nafte në Gjirin e Omanit, duke pretenduar se ajo kishte shkelur bllokadën ndaj porteve iraniane. Autoritetet indiane raportuan se tre marinarë rezultojnë të zhdukur, ndërsa 21 anëtarë të ekuipazhit u shpëtuan.
Në sfond të krizës ushtarake vijojnë edhe përplasjet diplomatike. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqai, akuzoi SHBA-në se po minon procesin diplomatik përmes “mesazheve kontradiktore dhe shkeljeve të përsëritura të armëpushimit”.
Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike miratoi një rezolutë të mbështetur nga SHBA, që kërkon nga Irani më shumë transparencë për rezervat e uraniumit dhe objektet bërthamore.
Konflikti aktual nisi në fund të shkurtit, pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Pavarësisht armëpushimit të arritur në prill, përplasjet sporadike dhe tensionet diplomatike kanë vazhduar, duke rritur frikën për një destabilizim më të gjerë të Lindjes së Mesme.



