
Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të Policisë para Kuvendit janë shoqëruar me disa të lënduar gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e turmës.
Sipas pretendimeve të protestuesve, Policia përdori ujë me piper dhe gaz lotsjellës për të zmbrapsur turmën. Si pasojë, një vajzë ka pësuar dëmtime në fytyrë, ndërsa disa qytetarë të tjerë janë shtrirë në tokë duke kërkuar ndihmë mjekësore.
Mes të lënduarve është edhe një i ri, i cili u pa i mbuluar në gjak teksa transportohej me urgjencë drejt ambulancës. Para se të largohej nga vendi i ngjarjes, ai u bëri thirrje protestuesve të vijonin rezistencën me fjalët: “Mos u dorëzoni!”
Ndërkohë, situata para Parlamentit mbetet e tensionuar, me përplasje sporadike mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa në terren vijojnë të jenë të angazhuara edhe ekipet e emergjencës.






