Reforma administrativo-territoriale shkaktoi përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi të paligjshëm raportin e paraqitur nga shumica, ndërsa paralajmëroi përshkallëzim të reagimit opozitar.

Berisha deklaroi se Partia Demokratike iu bashkua komisionit për reformën territoriale pas kërkesës së Komisionit Evropian dhe për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, duke theksuar se opozita ka përgatitur një raport prej mbi 400 faqesh. Sipas tij, raporti i mazhorancës nuk është miratuar në komision dhe nuk mund të paraqitet në Kuvend pa u shqyrtuar më parë nga të dyja palët.

“Raporti që pretendoni të paraqisni sot është absolutisht i paligjshëm. Ne do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të ngrihen në një kryengritje të përgjithshme kundër jush”, deklaroi Berisha.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kundërshtoi kërkesën e opozitës për shtyrjen e mandatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale. Ai argumentoi se afati ka përfunduar dhe nuk mund të zgjatet pas skadimit.

“Ky komision nuk mund të ringjallet më. E ka mbaruar mandatin e vet. Vota jonë është kundër kërkesës për zgjatjen e një afati që ka skaduar dhe nuk mund ta shkelim rregulloren”, u shpreh Balla.

Sipas tij, seanca kishte si qëllim vetëm dëgjimin e gjetjeve të komisionit, ndërsa çdo grup parlamentar dhe deputet do të ketë mundësi të paraqesë më pas propozimet e veta për reformën administrativo-territoriale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu