
Nga Armand Bajrami
Goditet një nga grupet më të fuqishme kriminale me bazë në Durrës, sipas SPAK, që operonte në trafikun ndërkombëtar të drogërave të forta dhe pastrimit të parave në Shqipëri.
Megaoperacioni i shtrirë në disa qytete të vendit u zhvillua nga Struktura e Posaçme dhe Antimafia italiane, hetime të cilat kanë nisur 5 vite më parë.
Në krye të kësaj organizate qëndronte një figurë e lakuar mes botës së errët dhe biznesit, Elvis Doçi, i njohur në Durrës edhe me nofkën “Visi i Pojës”. Në kërkim prej kohesh, edhe një vit më parë me urdhër të SPAK në banesën e tij u kryen kontrolle dhe u sekuestruan 3 milionë euro pasuri, por arrestimi i tij nuk u bë i mundur nga policia as atëherë dhe as në këtë operacion, duke u shpallur serish në kërkim ndërkombëtar.
Sipas burimeve, një tjetër organizator grupi është edhe Adi Çoba, i njohur në dosjen italiane me nofkën “Bisha”. Në total janë lëshuar 52 urdhër arreste, 29 prej të cilave shqiptarë. U ekzekutuan 42 prej tyre dhe 10 persona vijojnë të jenë në arrati, mes tyre organizatorët e trafikut.
Prokurori i Barit Roberto Rossi duke komentuar operacionin foli me termin mafia shqiptare.
Ndërsa kreu i SPAK, Altin Dumanin, u tregua më i kujdesshëm, duke përmendur vetëm krimin e organizuar.
Në kuadër të operacionit të koduar “Ura” u lëshuan masa arresti edhe për dy punonjës policie, Orgest Molla dhe Altin Morina, masë e dytë për këtë të fundit, pasi ai është arrestuar pak muaj më parë, për avokatin Arman Tragaj, pronarë mediash lokale, si dhe zyrtarë të tjerë. Rolet e secilit prej tyre u thanë në një konferencë për mediat nga prokurori i çështjes, Vladimir Mara.
Në total, autoritetet kanë arritur të dokumentojnë 40 episode të trafikimit të kokainës dhe heroinës nga vendet e origjinës kryesisht drejt Italisë por edhe vendeve të tjera të BE-së.
Lënda narkotike kokainë nisej nga Ekuadori drejt portit të Roterdamit në Holandë dhe më pas në Bari të Italisë. Nga aty shpërndahej në qytete të tjera të Italisë dhe shtetet e BE-se. Droga e presuar kishte logo të ndryshme, përfshirë atë të Audi, Paris dhe Leon.
Ndërkohë, paratë e siguruara nga shitja e drogës silleshin në Shqiperi nëpërmjet linjave të autobusëve, nga Bari dhe jo vetëm.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar 4.5 milionë euro kesh, si dhe 7 milionë euro asete.
Në kuadër të operacionit “Ura”, SPAK dhe antimafia italiane sekuestruan në Durrës tre restorante, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare, një televizion në Vlorë “Vlora Cable” dhe Dubai Inn të biznesmenit Nexhmedin Danaj. Nën sekuestro është vendosur edhe shoqëri dhe kompani të Ervin Zeqirit, të Adi Çobës, Juxhin Drazhit, e Elvis Docit, si dhe një kompani tregtare për shitblerje makinash e Olgert Shqevin.
Për prokurorët e çështjes një provë e fortë kanë qenë edhe përgjimet në aplikacionin SkyEcc, ku kodet dhe pseudonimet që përdornin anëtarët e organizatës ishin të ndryshme, si “gjyshja”, “bisha”, “seriali”, “i shëndoshi” dhe “nuro”.
Ndërkohë, në Itali 3 anëtarë të kësaj organizate kriminale janë kthyer në bashkëpunëtorë të drejtësisë, duke dhënë një ndihmesë të madhe në hetime.